Dita e sotme, siç ndodh rëndomtë me të hënat, ishte një nga ato ditë kur edhe pse kafja e tretë gjatë ditës të hap vërtetë sytë, sërish nuk arrin të të heq dot plogështinë, frustrimin dhe lodhjen që të shkakton ideja e përballjes me një javë tjetër në Shqipëri.
Sot 3 kafe ishin të pamjaftueshme, mu desh të bëja studentin, punëtorin, aktivistin e të treja këto në disa momente paralelisht me njëra-tjetrën.
Të jesh në të 20-tat e tua dhe të bësh të treja këto në Shqipëri, për mua e njëkohësisht për shumë nga miqtë e kolegët e mi është lodhje, por njëkohësisht është dhe privilegj të cilin ndonjëherë e marrim për të mirëqenë e i cili si çdo gjë tjetër që bëhet në Shqipëri, vjen me kosto të mëdha jo vetëm fizike, por në disa momente dhe me kosto për mirëqenien tënde dhe shëndetin mendor.
Unë jam te ato të paktët që duhet të konsiderohen me fat.
E quaj veten student se shkolla me jep këtë status, universireti çalaman ku dhe sot u paraqita formalisht për të mu komunikuar që ora e seminarit nuk do zhvillohet.
E quaj veten aktivist se jam pjesë e një lëvizjeje që përpiqet të ndryshojë me aq sa mundet jetët e komuniteteve të margjinalizuara dhe të rinjve në vend, përpiqet të fuqizojë e të frymëzojë në kushte ku edhe bërja e valixheve gati për të ikur nga Shqipëria është sinqerisht humbje kohe.
Sot bëra studentin, të paktën u përpoqa, bëra aktivistin, bëra dhe punëtorin e duke u kthyer në shtëpi pas një 12 orarshi shumë të ngjeshur, vendosa të shkoj dhe në Teatër.
Shkova në teatër, në atë të vërtetin. Shkova në teatër dhe rikujtova ndjesinë e bukur e të ndjekurit të një shfaqjeje në teatrin kombëtar, gjatë fundjavave, atëherë kur nuk me duhej të bëja as punëtorin, as aktivistin dhe as studentin.
Në Teatrin e vërtetë, që s’do t’ja dijë as për tërmete e buldozerë, e që për thuajse 2 vjet po qëndron i patundur ashtu siç i ka hije.
Shkova në teatrin simbol të rezistencës së qytetarisë ndaj pangopësisë së një klase të mallkuar politikanësh, të cilët s’duan t’ja dinë për shqiptarët, po për të cilët as teatrit nuk ja ndjen fare.
Shkova në Teatrin Kombëtar, një godinë që mbetet madhështore edhe pse projektorët i janë fikur prej muajsh e sallat i janë boshatisur.
Shkova në Teatër dhe mësova për vështirësitë e punëtorëve të teatrit, aktorëve, regjisorëve, qytetarëve që e mbrojnë atë, aktivistëve dhe atyre që rezistuan.
Në Teatër mësova dhe për Franc Kafkën dhe veprën e tij Amerika, ashtu siç studentët shqiptarë dinë të mësojnë më së miri, në mënyrë autodidakte e me burime alrernative.
Shkova në teatër, i lodhur, dhe arrita të përjetojë emocione që prej muajsh nuk kisha përjetuar, e kësaj herë jo vetëm nga shfaqja dhe vepra e luajtur, por nga vetë ekzistenca e teatrit në ditë të tilla.
Shkova dhe mësova për punën, studiova për Kafkën dhe ju bashkova qëndresës më të gjatë në historinë e aktivizmit qytetar në Shqipëri.
Teatri po qëndron e do të qëndrojë derisa ne të tjerët që kemi luksin e të bërit të valixheve gati, t’i bëjmë gati ato e të mbyllim punët e tjera që nuk duam të lemë pezull.
Teatri po qëndron, vërtet mezi, por sërish shpirti i tij do të mbetet gjallë dhe për disa vite edhe nëse ndërtesa një ditë nuk do të jetë më aty.
Teatrin do e kujtojë historia, ai është historia, dhe fatkeqësisht faqja po kthehet, jo për mirë.
Bashkë me teatrin, ndoshta do kujtohemi dhe ne që faqen e historisë u përpoqëm të mos ta kthejmë në ato të ditëve të zeza, ne që bëmë punëtorin, aktivistin, studentin, ne që në ditët e fundit këtu nuk njohim kompromisin dhe heqjen dorë nga kauza, ne që pamë prindërit tanë të përpiqem e që patëm mundësinë për tu larguar apo për të konsideruar largimin nga Shqipëria.
Teatri jam unë, teatri jemi ne, e kur të mos jetë më teatri zor të ketë më dhe punëtorë, studentë, aktivistë apo mishërim të tyre në Shqipëri.
E vetmja gjë që me siguri do ngelet do jetë kompromisi dhe e ardhmja e zymtë e një vendi që edhe Kafkës do i dukej surrealiste.
Sot shkova në Teatër. Sot isha teatri…