Sikur në debatin për Kryeministrinë të dëgjoheshin edhe arkeologët!
Kristi Pinderi
Ka një debat të shumëpritur që zjen në lidhje me ndërhyrjet e reja në pallatin e Kryeministrisë. Në debat janë përfshirë artistë, filozofë, pedagogë, arkitektë e analistë. Por mungojnë arkeologët, për fat të keq.
Ka një mit rreth arkeologjisë që duhet zhbërë. Njerëzit besojnë se ajo është një shkencë që studion kulturën materiale të prehistorisë, antikitetit e maksimumi mesjetës. Në fakt përqasja shkencore dhe logjika historike që arkeologjia përdor aplikohet sot edhe për kulturën materiale të shekullit të 20-të por edhe të shekullit në të cilin jetojmë.
E quajtur “arkeologjia kontemporane” kjo degë e arkeologjisë do të duhet të ishte gjithashtu pjesë e debatit të fundit në qendër të Tiranës.
Kjo lloj arkeologjie, për shembull, është e aftë të studiojë të gjithë sistemin e fortifikimit komunist në Shqipëri përmes bunkerëve njësoj siç bën arkeologjia mesjetare me sistemin e fortifikimit të kështjellave, apo njësoj siç sillet arkeologjia klasike me sistemin e fortifikimit të qyteteve ilire, apo greke e më pas atyre romake. Po kjo arkeologji mund të studionte Metalurgjikun në Elbasan njësoj si arkeologët studiojnë hapësirën prodhuese apo rurale përreth Butrintit.
Po ashtu, kjo nëndegë e arkeologjisë është plotësisht e aftë t’ú përqaset ndërtesave monumentale të viteve 30-të në Tiranë, njësoj siç bëjnë arkeologët me agoratë greke apo me mënyrën si romakët ndërtonin monumentet e tyre madhështore të kulturës e jetës politike.
Cfarë është në të vërtetë ndërhyrja e fundit në kryeministri: një përpjekje për ta humanizuar ndërtesën kryesore të shtetit siç shprehej Artan Fuga (i cili kërkonte që të humanizohej më tej edhe shteti vetë)? Formë e komunikimit politik përmes artit modern (apo shprehje personale si e shikon politikën piktori Edi Rama)? Një shkarje nga trutë e kryeministrit siç shprehej Fatos Lubonja? Një përpjekje për dialog me qytetarët, siç pretendon vetë kryeministri? Një shuplakë totalitariste në fytyrën e mendimit dhe shprehjes së lirë, siç shkruan Gentian Shkurti?
Unë kam një mendim modest se këto të gjitha më lart mund të jenë të vërteta, secila sipas logjikës dhe këndvështrimit që ofron.
Por në këtë debat të munguarit janë arkeologët e për pasojë edhe shoqëria që privohet nga një mungesë e tillë.
Shikoni sa punë ka për arkeologët aty që punojnë duke studiuar shtresa të mbivendosura historike! Ka qartazi tre të tilla: vitet e racionalizmit në arkitekturë, një rrymë që gabimisht vazhdon të asocohet me Musolinin, ndonëse pak flasin sot që ajo rrymë në historinë e arkitekturës kishte nisur të formësohej që në shekullin e 19-të e që frymëzimin e kishte direkt nga gjeometria e përdorur nga romakët kur ndërtonin qytetet e tyre; ka shtresën historike të përiudhës së komunizmit me bazorelievin në fasadë (diçka që e dërrmonte në thelb racionalizmin që bazohej te ideja që strukturat racionale krijojnë hapësirë e bukuri të mjaftueshme që nuk kanë nevojë për dekorime apo zbukurime) dhe ka së fundmi edhe shtresën e shekullit tonë (racionalizëm+komunizëm+tranzicion).
Eshtë e vërtetë se arkeologjia merr vlerë sidomos atëherë kur mungojnë dokumentat e shkruar, por po aq e vërtetë është edhe se dokument më të mirë se një ndërtesë, një objekt, një qytet të tërë nuk ka!
Se nuk besoj të kemi sot nevojë për dokumenta të shkruar për të kuptuar atë që e shohim me sytë tanë. Në rast se do duam të kuptojmë pra se si ka qenë historia jonë e 100 viteve të fundit hidhini sytë në Tiranë dhe shikoni “kulturën tonë materiale”. Po tjetër gjë është ta shtosh e pasurosh atë, e tjetër gjë është ta fshehësh apo më keq akoma, ta shkatërrosh. Përfytyroni tani sikur me të njëjtën nevojë për ”të komunikuar me publikun” kryeministri të vepronte edhe me Butrintin, edhe me amfiteatrin në Durrës, edhe me Apoloninë, apo edhe me Finiqin antik.
Në rast se në jetën tonë kulturore dhe sociale arkeologët do të kishin më shumë peshë, unë besoj se kjo nuk do të kishte ndodhur e njëkohësisht të gjitha mund të ishin bërë: edhe arti bashkëkohor, edhe hapja e kryeministrisë për publikun, edhe stimulimi i debatit për lirinë, por mbi të gjitha do të ishte mbrojtur kultura jonë materiale.