Shtatë sfidat e udhëheqësve të së nesërmes

Sfidat me të cilat planeti ynë po përballet gjatë viteve dhe dekadave të fundit kanë qenë nga më të ndryshmet, nga përfundimi i Luftës së Ftohtë kaluam te rreziku i terrorizmit, ndërhyrjet ushtarake të perëndimit në demokraci të brishta e në ditët e sotme fokusi kryesor i qeverive të vendeve të mëdha po zhvendoset drejt ndryshimeve klimatike dhe sfidave që po sjell globalizmi.
Parashikimet për dekadat e ardhshme janë të shumta. Pritet një rritje e popullsisë e cila mendohet se në vitin 2050 mund të arrijë në 10 miliardë njerëz. Ndryshimet klimaterike po rrezikojnë ekonomitë dhe pozitat gjeopolitike të superfuqive aktuale dhe po fuqizojnë nga ana tjetër shtete të reja me ekonomi ende në zhvillim.
BBC ka publikuar një listë me shtatë sfidat kryesore me të cilat pritet të përballen udhëheqësit e së nesërmes që mund të shërbejë dhe si një guidë për sipërmarrësit e së ardhmes.
1.Qytetet inteligjente
Në vitin 2050, më shumë se gjysma e popullsisë botërore prej 10 miliardë njerëzish do të banojnë në vetëm 10 vende të botës, katër prej të cilave aktualisht janë të klasifikuara nga OKB si ‘më pak të zhvilluara’. Ndërsa popullatat rurale pritet të vijojnë zhvendosjen në qytete, domosdoshmëria e krijimit të vendeve të punës dhe mirëmbajtja e shërbimeve urbane do të bëhet edhe më e vështirë.
Sistemet e transportit dhe strehimi janë dy nga problematikat kryesore në qytetet e së ardhmes. Inovacioni në këtë fushë kërkon investim në bizneset e planifikimit të hapësirës dhe transportit.
2.Paqe me natyrën
Ndërsa grimcat ndotëse dhe mikroplastikat vijojnë të ndosin ajrin dhe oqeanet tona, kërkimi shkencor në dekadat e ardhshme synohet të zhvendoset drejt alternativave më të pastra që do të ndihmonin në reduktimin e ndotjes dhe në mbrojtjen e planetit. Zhdukja e materialeve të dëmshme dhe shtimi i burimeve të rinovueshme të energjisë po bëhet gjithnjë e më i mundur, falë interesit të treguar për këto fusha dhe falë kompanive të mëdha që po riorganizohen drejt një të ardhmeje më ekologjike.
3.Eksplorime të reja hapësinore
Jemi duke jetuar në epokën e re hapësinore.
Me perspektivat në zhvillim për turizmin hapësinor dhe kolonizimin e hënës, kufiri përfundimtar nuk ka qenë kurrë më i arritshëm. Agjencitë më të mëdha hapësinore në të gjithë botën po investojnë në misionet e tyre më ambicioze deri më sot dhe njerëzimi në përgjithësi po pret kthesën e rrjedhës së tij.
Kërcimi ynë është i pashmangshëm në botën e jashtme dhe po lindin dhe pyetje të reja : si të krijojmë vendbanime në trupa qiellorë të largët? A do ta trajtojmë hapësirën si një demokraci? Çfarë lloj kulture do të zhvillohet te jo-tokësorët e parë?
4.Teknologjia e gjelbër
Progresi është i vazhdueshëm në fushën e “teknologjisë së gjelbër”, sidomos kur merret parasysh shpejtësia me të cilën bota po përparon në kërkimet për shpëtimin dhe ruajtjen e planetit. Inovatorët në këtë sektor po garojnë kundër shpejtësisë së ndryshimeve klimatike që mund të rezultojnë fatale për njerëzimin.
Inovacioni i gjelbër nuk do të thotë domosdoshmërisht teknologji e re. Zgjidhjet më të mira shpesh vijnë nga transformimi i praktikave ekzistuese, duke i bërë ato më efikase dhe më praktike në rajone të ndryshme të botës. Ndonjëherë, duke vështruar problemin në një tjetër perspektivë, zgjidhja mund të gjendet falë vetë resurseve që na ofron natyra
5.Rritja e Inteligjencës Artificiale
Pavarësisht nëse përdoret si një mjet për rritjen e efikasitet apo si zëvendësim për marrëdhëniet shoqërore, zhvillimi i teknologjisë nuk ka ndalur dhe po vazhdon të nxisë rritjen e pashmangshme të Inteligjencës Artificiale.
Sa më e mirë të jetë kjo formë inteligjence, aq më e thjeshtë bëhet përshtatja. Algoritmet më të sofistikuara të parashikimit nënkuptojnë një siguri më të madhe në përdorimin e robotëve dhe inteligjencës artificiale. Kjo mund të nënkuptojë gjithashtu një personalizim më të saktë kur bëhet fjalë për preferencat dhe nevojat tona individuale.
6.Ulja e pabarazive shoqërore
Pavarësisht progresit të arritur deri më sot në rritjen e diversitetit dhe reduktimin e pabarazive shoqërore, ndarjet e thella vazhdojnë të ekzistojnë në vendin e punës, në përfaqësim si dhe në udhëheqje në mbarë botën. Përveç politikave dhe praktikave të reja përfshirëse nga udhëheqësit e së sotmes, ndryshimi i vërtetë pritet nga udhëheqësit e ardhshëm të rritur në një botë të ndërgjegjësuar mbi nivelin e pabarazisë dhe pasojat negative të saj.
Dy nga 17 objektivat e listës së OKB-së për Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm për vitin 2030 janë të zëna nga stimuj që përqendrohen në uljen e pabarazisë. Ato e përshkruajnë barazinë si “jo vetëm një të drejtë themelore njerëzore, por një themel i domosdoshëm për një botë paqësore, të begatë dhe të qëndrueshme”.
7.Ndryshimi i vazhdueshëm i forcës punëtore
Në një botë që po ndryshon me shpejtësi, me ritme të shpejta po ndryshon dhe forca punëtore kudo.
Punëdhënësit janë duke u përpjekur për të rekrutuar në kompanitë e tyre mendjet brilante të gjeneratës së re (gjenerata z), pasi ata hynë në tregun e punës me një perspektivë të freskët dhe lehtësi në qasjen ndaj inovacioneve të teknologjisë. Ndërkohë, ritmi izhvillimit të tekonolgjisë dhe automatizimit po i detyron disa breza të mëparshëm të marrin në konsideratë një karrierë të re. Ekspertët thonë se 65% e nxënësve që fillojnë shkollën fillore sot, do të punojnë në punë që do të zhduken në të ardhmen.
Mundësia me të cilën po prezantohemi gjatë këtyre viteve të fundit përfshin heqjen e modelit tradicional të punësimit në këmbim të krijimit të strategjive të biznesit që shfrytëzojnë potencialet e pashfrytëzuara dhe rishqyrtojnë se çfarë do të thotë të kesh një karrierë të suksesshme. /k.j