Shqipëria do të presë Kampionatin Botëror të Fluturimeve të Lira
Për herë të parë në Shqipëri do të organizohet Kampionati Botëror i Fluturimeve të Lira. Për aeronautikën shqiptare organizimi i këtij eventi shënon një fitore, duke i hapur njëherësh edhe më shumë dyert për sportet që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me natyrën.
Ky kampionat organizohet për herë të parë në Shqipëri dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. Zoti Islami tha se Shqipëria ka gjithë potencialet e duhura për ta përballuar këtë aktivitet, megjithatë deri në vitin 2017 kur do të jetë Kampionati, duhen shumë punë nga ana menaxheriale.
“Këto aktivitete bëhen në vende piktoreske dhe më joshëse për turizmin, ku ne kemi LLogaranë dhe Vlorën. Prezantimi jonë ishte shumë interesant, pasi ne u paraqitëm me një videoklip të gjatë, rreth 7 minuta, të gjithë asaj që ne ofronim në Dhërmi, Llogara dhe në Vlorë.”
Sipas Alket Islamit, ardhja e këtij eventi të madh në Shqipëri ishte si pasojë e aktivitetit të “Albanian Open”, të edicioneve që kanë filluar nga viti 2000 deri tani. Ai tha për Top channel se kërkesa i është dërguar Federatës së Sporteve ajrore që përpara dy vitesh. Në garë me Shqipërinë ishin gjithashtu Kina dhe Gjermani, të dy konkurrent të fortë, por Shqipëria arrit të merrte 28 vota nga 40 që ishin gjithësej.
Gjithashtu ai thotë se gjatë kampionatit do të promovohet jo vetëm turizmi shqiptar por do të ketë edhe panaire agroturizmi dhe aktivitete të tjera.
“Dy ditët e para të aktivitetit do të zhvillohen në Dhërmi, pastaj të gjithë do të shpërngulen në Vlorë. Këtë e kemi bërë për të pasur një gjatësi sa më të madhe të ofertës sonë turistike, sepse në radhë të parë promovojmë të gjithë zonën dhe pjesën më të volitshme të rivierës sonë.”
/Top Channel