Shpallet projekti fitues për “ishullin e lumit Osum”
Pas prezantimit publik të projekteve të 12 skuadrave, juria e përbërë nga përfaqësues të planifikimit urban, projektimit, politikës si dhe arkitekturës vendase dhe të huaj, shpalli ekipet fituese për projektin mbi lumin e Osumit në Berat.
Konkretisht, në vend të parë u përzgjodh projekti shqiptaro – holandez nga studio “UNLAB, OPENFABRIC, CoRDA”; vendi i dytë i takoi studios “Felixx , William Veerbeek UNESCO-IHE, Polis University” dhe vendi i tretë: “KWY,YellowOffice, Jan Bünnig, Studio PS96, Elian Stefa”.
Fituesit u përzgjodhën bazuar në kriteret e qartësisë së projektit, përbërjes profesionale të skuadrës dhe metodologjisë së propozuar.
Në projektin fitues, lumi është elementi kryesor në qendër të projektit. Varësia e ishullit të Osumit ndaj lumit është aq e madhe sa vështirë të përcaktosh formën e ishullit që ndryshon vazhdimisht në varësi të nivelit të ujit. Në propozimin e tij skuadra paraqet një sistem që eliminon rreziqet dhe dobësitë duke zhvilluar identitetin kulturor dhe rekreativ të ishullit.
– Konkursi u prezantua në muajin shkurt nga Ministria e Zhvillimit Urban, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Atelier Albania. Qëllimi i tij është gjetja e mënyrave për të qenë elastik dhe të ripërtëritshëm ndaj fenomeneve natyrore duke e përdorur ishullin e Osumit si vend testimi. Gjetjet e këtij konkursi mund të përdoren edhe në vende e kontekste të tjera të ngjashme si zona me rrezik përmbytjeje dhe me mungesë të tipareve të ripërtëritjes dhe elasticitetit.