Pas transferimit të trupës së Teatrit Kombëtar dhe shfaqjeve në ambjentet e ArTurbina, duket se me numrin e shfaqjeve ka rënë dhe interesi i qytetarëve për ndjekjen e tyre në sezonin e ri.
Numri i shfaqjeve kulturore në tremujorin e tretë 2019 është 61, duke pësuar një rënie prej 11,6 %, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit të shkuar.
Në institucionet qendrore të artit dhe kulturës, në tremujorin e tretë të vitit 2019, janë organizuar 11 premiera, një premierë më shumë, në krahasim me tremujorin e tretë 2018, raporton Monitor.
Në tremujorin e tretë 2019, numri i spektatorëve është 12.558, duke pësuar rënie me 54,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pjesëmarrja mesatare në tremujorin e tretë 2019 është 206 spektatorë për shfaqje, nga 401 spektatorë të rezultuar në tremujorin e tretë 2018.
Për shkak të mungesës së shfaqjeve në Teatrin Kombëtar, pjesëmarrja mesatare e spektatorëve për shfaqje, në të gjithë institucionet kulturore, gjatë tremujorit të tretë të 2019 ka pësuar një rënie në masën 48,6%, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.
Ndërkohë në ambjentet e Teatrit Kombëtar, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe aktivistët vijojnë organizimin e shfaqjeve të pavarura, në të cilat numri i spektatorëve nuk llogaritet në statistikat zyrtare.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka krijuar atë që quhet Festivali Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Teatrit, ku shfaqjet dhe aktivitetet e tjera kulturore organizohen në mënyrë vullnetare ose me donacione private të mbështetësve të kauzës së Teatrit Kombëtar.
Sezoni i ri artistik i mbështetur nga Ministria e Kulturës duket se do të zhvillohet vetëm në ambjentet e ArTurbina, pavarësisht se për Teatrin Kombëtar ende nuk ka një rezultat të konkursit të shpallur apo vendim përfundimtar mbi fatin e tij.
Sallat e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental vijojnë të mbahen të hapura për publikun falë aktivistëve, të cilët po sjellin për herë të parë një sezon alternativ artistik për qytetarët e Tiranës.