“Sfida” ekspozita e 9 artistëve me aftësi të veçanta
Në ambjentet e galerisë Kalo në Tiranë, është hapur ekspozita e quajtur “Sfida”.
9 artistë me aftësi të veçanta kanë prezantuar veprat e tyre, mes të cilëve piktori i njohur Llambi Blido, që edhe pse ka humbur shikimin vazhdon të pikturojë .
Në ekspozitë ishte i pranishëm ambasadori i Gjermanisë, Hellmut Hoffman i cili e vlerësoi këtë përpjekje për art gjithëpërfshirës.
“Ne mendojmë se arti shqiptar, artet pamore kanë nevojë për më shumë prezantim, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Kjo ekspozitë që titullohet Sfida është bërë me një koncept të veçantë, konceptin e artit gjithëpërfshirës. Arti në fund të ditës është një shprehje e artistëve”, tha Hoffman.
Mes artistëve me aftësi të kufizuara që marrin pjesë në ekspozitën “Sfida”, si Edi Leksani, Benard Lekgegaj, Franceska Xhunga, Anastasi Dhimitri, Maria Taragjini, është edhe 17-vjeçari autik Drini Sallaku. Nëna e Drinit tregon se kjo ekspozitë e ka bërë atë të kuptojë se nuk është vetëm dhe se arti e ka ndihmuar të kapërcejë barrierat.
Ekspozita “Sfida” do të qëndrojë e hapur deri më 12 qershor në Galerinë Kalo.
/l.k./