RRËFIMET TONA

Prej shumë vitesh, 8 Marsin e shihja si festën e Nënës, ndoshta për shkak të kulturës shqiptare apo moshës së re, por sa herë që përmendej kjo datë, i vetmi imazh që me vinte në mendje ishte ime më dhe tufat e luleve. Ky 8 Mars më gjeti pak më ndryshe, më të pjekur dhe me më shumë dije, por mbi të gjitha ky 8 Mars më gjeti në teatër. Në një vepër të realizuar në mënyrë drithëruese e po aq të vërtetë, ne u njohëm me historinë e 9 ëngjëjve që vallëzonin në parajsë. U njohëm me historinë e 9 grave të cilat ishin vrarë nga bashkëshortët, vëllezërit dhe burra të tjerë në jetët e tyre. Një rrugëtim i mbushur me vuajtje, të qeshura e sarkazma na bënë të kuptonim që ne mundemi! Për to nuk ishte e rëndësishme se në ç’vend ishin apo si u larguan nga kjo botë, për to ishte e rëndësishme të ngrinin zërin e të bërtisnin të vërtetën e tyre.
Fjalët nuk përçonin vetëm vuajtjen apo frikën e tyre, por një realitet të hidhur me të cilën shoqëria jonë përballet çdo ditë. “Një 28 vjeçare u gjet e vrarë nga 31 goditje të thikës”, thërriste Irvana që tani vallëzonte e qetë mbi retë dhe fatkeqësisht nuk më tingëlloi aspak një titull i çuditshëm apo i padëgjuar më parë. Ndërkohë e vogla Valeri, në moshën 21 vjeçare u vra pabesisht nga vëllai i saj, jo sepse nuk i dëgjoi fjalën apo se kishte bërë diçka gabim. Ajo u vra për të vetmen arsye se zemra e saj rrihte çmendurisht për partneren e saj, e cila nuk kishte bërë asgjë tjetër përveç se kishte mbushur jetën e tyre me aromë trëndafilash, shumë kohë më parë se ajo të shkonte në parajsë. Ajri ishte i rënduar nga dhembja, e ne po jetonim bashkë me to historinë e tyre.
Ato denjuan të shihnin guximshëm sytë e dikujt tjetër, sytë e asaj që shumë gra do të donin të ishin, dhe jo ato sy që shoqëria i derivoi.
Ky 8 Mars do të mbahet mend gjatë në kujtesën e të gjithë atyre që ndodheshin në atë sallë dhe mund të them me plot bindje se kjo shfaqje ishte homazhi më i denjë që mund t’i bëhej figurës së gruas në këtë ditë të shënuar./ Anxhela Kokoshi