“Historia Ime” shënoi vitin e 6-të radhazi të organizimit të Shkollës Verore 2019, në qytetin e Pogradecit. Këtë herë fokusi i trajnimeve ishte më i gjerë, duke integruar përveç aktivizmit dhe të drejtave të njeriut edhe Bashkimin Europian dhe implikimet e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në fusha të ndryshme socio-politike. Aktiviteti zgjati pesë ditë dhe secilën prej tyre pati mentorë të ndryshëm, të cilët ishin profesionistë dhe mbulonin më së miri temat e mësipërme.
Pjesëmarrësit e Shkollës Verore vinin nga drejtime kryesisht të shkencave shoqërore por edhe më gjerë, duke i dhënë larmishmëri jo vetëm përbërjes së grupit, duke kontribuar kështu me pikëpamje të ndryshme sa i përket diskutimeve dhe temave të ditës. Çështjes së procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe përthyerjes së ndikimit në ekonomi, garantimit të të drejtave të njeriut, lirisë së shprehjes dhe veprimtarisë, iu bashkëngjitën në argument dhe diskutim të gjithë pjesëmarrësit duke i kontribuar debatit me ofrimin e lenteve kritike të procesit në vetvete dhe mangësive që ai mbart.
Interes të veçantë mori sigurimi i lirisë mediatike, të drejtave të njeriut dhe aktivizmit, pa u cenuar prej klimës politike potencialisht të pafavorshme. Vëmendja u përqendrua gjithashtu edhe në sigurimin e mjeteve dhe mundësive demokratike në qasjen e lirë në informacion dhe mbrojtjen e integritetit të gazetarëve investigativë.
Advokimi i të drejtave dhe lirive të shoqërive në tranzicion, mori hapësirë debati në dy ditë radhazi, pavarësisht sfondit specifik të vetë trajtesave. Ndër të tjera, trajnerët erdhën të përgatitur me materiale të cilat ua shëprndanë pjesëmarrësve për një përthithje sa më të mirë të njohurive të marra. Gjithaq, avokati Dorian Matlija prezantoi platformën e informimit PubLeaks, stafi i së cilës me anë të ekspertizës juridike dhe akesin në informacione të besueshme, u përgjigjet kërkesave të qytetarëve të interesuar në çështje të ndryshme.
Dita e fundit, u përmbyll me një trajnim më praktik, sesi street-art mund të ndihmojë në aktivizëm dhe qasjen në publik me anë të punimeve në stencil, grafiteve dhe muraleve. Në kuadër të kësaj veprimtarie, pjesëmarrësit e Shkollës Verore 2019, dolën në terren dhe aplikuan njohuritë e marra sa më sipër, duke fotografuar bashkë me punën e tyre dhe reagimin e qytetarëve andejpari.
Gjatë pasdites së të shtunës, pjesëmarrësit patën mundësi të shëtisin qytetin e Pogradecit dhe u bënë ndalesa në Drilon dhe Tushemisht, duke shijuar natyrën dhe qetësinë që ofron liqeni. Ndërsa, mbrëmja e fundit iu rezervua ceremonisë së certifikatave të pjesëmarrjes dhe diskutimeve mbi pritshmëritë dhe arritjet. U duk, se ky organizim e arriti qëllimin dhe veç të tjerash vazhdon të shërbejë si urë komunikimi dhe ndërkëmbimesh të mendimeve dhe eksperiencave midis të rinjve të moshave nga 18-25 vjeç.
Liri Kuçi
Historiaime.al është një zë i pavarur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne raportojmë si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për histori njerëzore që i promovojnë këto të drejta. Ky projekt synon të ndryshojë qëndrimet jo fort etike karshi të drejtave të njeriut nga ana e medias kombëtare si ajo e shkruar, ashtu edhe ajo vizive dhe media e re online.