Që koncerti i Ronës të mos jetë “i pari dhe i fundit”…
Lulishtja pas Kryeministrisë shërbeu për të parën herë si një skenë gjigande për publikun e gjerë. Koncerti i këngëtares Rona Nishliu, mblodhi qindra njerëz që kishin zgjedhur të kalonin një mbrëmje ndryshe.
Pjesëmarrja e një numri të madh artistësh dhe artdashësish, tregoi se shqiptarët i duan aktivitetet kulturore dhe kanë nevojë për gjithmonë e më shumë aktivitete të tilla.
Jo vetëm ambjentet e Kryeministrisë, por edhe institucioneve të tjera – Përse të mos jenë të aksesueshme nga publiku? Pse të mos i shërbejnë me aktivitete, ekspozita, panaire?
Nuk kemi pse të presim ditë si “Nata e Bardhë” apo “100 vjetorin” e dytë të Shqipërisë për të hapur dyert e Presidencës, Pallatit të Brigadave, Kryeministrisë, Ministrive, për publikun e thjeshtë. Artistë si Rona që vetëm i japin një imazh pozitiv vendit, kanë nevojë për mbështetje dhe shqiptarët kanë nevojë për jetë kulturore më të larmishme.
Kryeministri Rama, i pranishëm në koncertin e mbrëmshëm, premtoi se lulishtja e Kryeministrisë do ta bëjë më së miri këtë gjë.
“Është momenti tani për të thënë se kjo hapësirë u çel për publikun dhe do të vazhdojë të jetë në dispozicion të publikut, në dispozicion të artistëve të tifozëve, në dispozicion të çdokujt që do të ketë një ide për ta marrë kuptohet pa qera”. /Marinela Gremi |Historia Ime|