Pse e festojmë Ditën e Mësuesve në 7 mars
Në vende të ndryshme të botës festohet Dita e Mësuesve. Ditë që i kushtohet punës dhe vlerësimit të figurës së mësuesve. Por data kur festohet kjo festë, është në ditë të ndryshme, në vende të ndryshme.
Ideja e Ditës së Mësuesve, i ka fillimet e saj gjatë shekullit të XX dhe ndryshon nga Dita Ndërkombëtare e Mësuesve që është për gjithë shtetet në 5 tetor. Kjo festë ka lindur për të kujtuar ngjarje të rëndësishme, mësues që kanë ndikuar me kontributet e tyre për cdo shtet.
Në Shqipëri Dita e Mësuesve festohet në 7 mars për të kujtuar hapjen e shkollës së parë shqipe. Mësonjëtorja e Korcës është shkolla e parë në gjuhën shqipe dhe u hap në 7 mars të 1887. Hapja e kësaj shkolle për atë kohë kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur.
Mësonjëtorja e Korçës ishte qendër e rëndësishme për formimin kulturor dhe ngritjen e ndërgjegjes dhe moralit të popullit. Ajo nxiti edukimin patriotik të brezit të ri e të masave të gjera.
Ndër të tjera shkolla tërhoqi interesin e shqiptarëve dhe nën shmbullin e saj u frymëzuan më vonë edhe banorë të viseve dhe trevave të tjera për të hapur shkolla në qytete të tjera. Kështu që nga ajo ditë 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore.