Aleanca për Teatrin e mbështetur nga dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të partive politike, e shoqërisë civile ka mbajtur të mërkurën në orën 17:30 një protestë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit kundër prishjes së teatrit Kombëtar, duke kërkuar një teatër të ri në atë vend, dhe si i vjetri.
Me thirrje kundër qeverisë dhe diktaturës si dhe për ringritjen e Teatrit, protesta ka vijuar paqësisht dhe nuk është shënuar asnjë incident për dy orë me radhë.
Dy janë vendimet e marra sot nga Aleanca per Teatrin: nënshkrimi i një peticioni për rindërtimin e teatrit në të gjithë vendin dhe vijimi i protestave.
Aktivistja dhe avokatja Ardiana Kalaja nga protesta i bëri thirrje prokurorisë speciale, SPAK-ut që të arrestojë kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, pasi sipas saj ai po manipulon provat e kësaj çështje. Po ashtu Kalaja i kërkoi SPAK që të ndërhyjë për këtë situatë.
Ish-ministrja Mirela Karabina në fjalën e saj për prishjen e Teatrit Kombëtar, lexoi emrat e anëtarëve të Këshillit Bashkiak që kanë firmosur për prishjen e Teatrit ndërsa ka kërkuar që të gjithë të japuin dorëheqje dhe të paraqiten para drejtësisë.
Gazetari Koloreto Cukali duke folur në protestën, deklaroi se ky është 21 janari i Edi Ramës. Cukali tha se kishte një mit, sipas të cilit Berisha të vret e Rama jo, por se ai ka rënë tanimë. Ai shtoi se Edi Rama vrau një ndërtesë dhe është njësoj sikur të vrasësh njerëz.
“Ky ëshë një moment shumë i rëndë, ku shteti ka rënë. Kjo qeveri po mbyll javën me prishje të Teatrit. Ky është 21 janari i Edi Ramës. Ishte një mit që Berisha të vret e Rama jo, por ra ky mit, mund të kishte vrarë njerëz, e vrau një ndërtesë trashëgimi kulturore. Vrau një ndërtesë, është njësoj sikur të vrasësh njerëz”.-tha Cukali.
Regjisori Robert Budina tha se Teatri Kombëtar u sulmua me një akt terrorist, duke i kërkuar drejtësisë të hetojë porositësin dhe ekzekutuesin e sulmit më 17 maj.
Aktori Neritan Licaj me anë të një fjalimi të mbajtur përpara qytetarëve, në protestën e dytë kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, tha se duhet të jepet drejtësi për shpirtin e pushkatuar. Licaj u shpreh se Rama prishi Teatrin dhe historia ka për ta dënuar atë për aktin barbar që sipas tij është kryer ndaj Teatrit./ HistoriaIme