Ditën e sotme, në ambjentet e “Europe House” u mbajt eventi promovues i librit 1997, autobiografia e shkruar nga Kristi Pinderi.
Libri, i pari në letërsinë shqiptare ku trajtohet në gjerësi tematika dhe eksperiencat e një pjesëtari të komunitetit LGBTI në Shqipëri, vjen si një rrëfim që shkon përtej dhunës dhe diskriminimit të vazhdueshëm me të cilin autori është hasur, duke paraqitur dhunën në disa aspekte, nga ajo e mentalitetit të mbyllur maskilist dhe mospranues e deri te dhuna shtetërore e institucionale.
Përgjatë momenteve historike në Shqipëri, kur po krijohej e forcohej lëvizja LGBTI, bashkë me të po shkruhej dhe rishkruhej dhe përmbajtja e librit, i cili u botua pas shumë përjetimesh dhe përballjesh së Kristit me realitetin e vështirë të këtyre viteve.
Viti jo shumë i largët 1997 shënon dhe zanafillën e rrëfimit të Kristit, vetëm tre vite pas dekriminalizimit të homoseksualitetit në Shqipëri, e vijon më pas me përjetimet e tij në familje e përballjet e tij të para me dhunën seksuale dhe fizike.
“Ky libër është një akt guximi dhe proteste, një qëndrim inkurajues për drejtësi dhe dinjitet njerëzor.”, u shpreh aktivistja Gresa Hasa, e cila ka shkruar dhe parathënien e “1997”, gjatë aktivitetit promovues.
Pjesë të librit u lexuan dhe nga Xheni Karaj, e cila dëshiroi të fokusohet në marrëdhënien e veçantë të Kristit më të ëmën.
Botimi i librit u mundësua nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, në bashkëpunim me Aleanca LGBT dhe Pro-LGBT, organizata të cilat gjatë gjithë rrugëtimit të tyre kanë pasur në qendër aktivizmin dhe përpjekjet e Kristit për të reaguar ndaj dhunës dhe diskriminimit me pozitivitet dhe dashuri të madhe.