“Dare to show the other side of you” (Guxo të tregosh anën tjetër të vetes tënde) quhet ekspozita e realizuar nga Ilda Buxhaku, e cila do të hapet ditën e martë, në ora 19:00 në ambjentet e Zeta Gallery në Tiranë.
Një tjetër shembull i nxitjes së pranimit shoqëror të komunitetit LGBTI+ përmes artit, ekspozita sjell një rrëfim vizual të përjetimeve dhe marrëdhënieve të komunitetit LGBTI+ në shoqërinë e sotme shqiptare si dhe vështirësitë e marrëdhënieve midis individëve në kontekstin tonë shoqëror.
Edhe pas shumë nismave të ndërmarra për përmirësimin e cilësisë së jetesës së komunitetit LGBTI në Shqipëri, ky i fundit mbetet ende një nga komunitetet më pak të pranuara.
Përmes kësaj ekspozite, e realizuar falë skemës së mini-granteve të projektit Pride in Albania, i cili implementohet nga Aleanca LGBTI dhe Pro-LGBT, në bashkëpunim me IREX Europe dhe Bashkimin Evropiani, japim mundësinë e shprehjes këtij komuniteti dhe dëshirojmë të nxisim komunikimin dhe ndërveprimin e tyre me grupe të tjera të shoqërisë.
Përmes artit vizual, po përpiqemi të rrisim ndjesinë e pranimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, por edhe dhënien e mundësisë individëve të komunitetit për tu shprehur e për tu kuptuar nga shoqëria.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur, përgjatë datave 4 – 8 shkurt, nga ora 11:00 në orën 18:00.