Përgatitjet për Miss Trans Albania 2019
Ditën e shtunë, në Tiranë do të organizohet eventi i rradhës i ‘Miss Trans’, një konkurs i vetëm në llojin e tij i cili promovon bukurinë e të qenit vetvetja.
Në këtë event do të ketë 10 vajza pjesëmarrëse, të cilat do të konkurojnë për kurorën e Miss Trans Albania 2019.
Konkursi do të përbëhet nga 3 sfilata kryesore, ku sfilata e parë do të jetë me motive shqiptare, e dyta do të jetë një sfilatë e lirë, ku vajzat do të sfilojnë me veshje të stiluara nga vetë ato dhe sfilata e tretë do të jetë dhe sfilata supreme, ku vajzat e veshura me fustane mbrëmjeje, do të sfilojnë përpara jurisë për të siguruar një vend në finale.
Do të zgjidhen pesë finaliste përmes votimit të jurisë së përbërë prej shtatë anëtarësh dhe në një votim nga publiku i ftuar, mes pesë finalisteve do të zgjidhet dhe fituesja e kurorës së bukurisë për vitin 2019.
Eventi organizohet nga Aleanca LGBT dhe Streha LGBT. Një nga moderatoret e eventit, Klea është dhe fituesja e kurorës së parë të Miss Trans në Shqipëri, të organizuar në vitin 2002.
Ajo sjell eksperiencën e organizimit të së njëjtit konkurs në Kosovë, ku pati dhjetëra vajza të interesuara dhe atmosfera ishte shumë pozitive.
Eventi i këtij viti do të shoqërohet dhe me performanca artistike nga artistë të ftuar si dhe surpriza, për të cilat do të na duhet të presim për t’i zbuluar.
Prej disa ditësh, vajzat janë të angazhuara në prova dhe disa prej konkurenteve janë pjesëmarrëse nga Kosova.
Miss Trans Albania, përveç se promovon bukurinë e të qenit vetvetja, rrit dhe vizibilitetin për komunitetin trans në Shqipëri, individët e së cilit pavarësisht vështirësive të së përditshmes në vendin tonë, mbeten gjithmonë të qeshur dhe plot humor dhe pozitivitet.
Surprizat e spektaklit mbeten për tu zbuluar ditën e shtunë. Mos e humbisni!
Miss Trans Albania është një aktivitet i organizuar në kuadër të projektit PRIDE Albania*.
*Projekti PRIDE implementohet nga IREX Europe në bashkëpunim me Aleancën LGBT dhe Pro LGBT dhe mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian