Pas Notre Dame, Franca nis përpjekjet për mbrojtjen e trashëgimisë së përbashkët evropiane

Pas dëmtimit të Katredales Notre Dame në Paris nga zjarri gjatë javës së shkuar, Franca po nis përpjekjet për krijimin e një “mekanizmi bashkëpunimi” brenda BE-së, ku vendet mund të bashkojnë burimet dhe njohuritë për të mbrojtur më mirë trashëgimisë kulturore dhe historike.
Presidenti francez Emmanuel Macron do të ftojë ministrat e kulturës të BE-së në Paris më 3 maj për të diskutuar krijimin e një mekanizmi të tillë. Ideja është që vendet të jenë në gjendje t’i ofrojnë njëra-tjetrës ndihmë dhe këshilla për të parandaluar dëmtimin e objekteve me rëndësi të madhe historike e kulturore si në rastin e Notre Dame.
Fondet e zhvillimit rajonal të BE-së janë përdorur për qëllime të ngjashme për vite me rradhë, por jo gjithmonë kanë qenë të mjaftueshme për të siguruar objektet e trashëgimisë evropiane.
Sipas një prononcimi të ministres franceze të Kulturës për mediat vendase, në takimin e majit, secilit vend do t’u kërkohet të paraqesin praktikat e tyre kombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë. Prej tyre gjithashtu do të kërkohet të emërojnë një ose dy objekte apo site arkeologjike që përfaqësojnë trashëgiminë e përbashkët evropiane dhe që kanë nevojë për mbrojtje.
Dëmtimi i katedrales historike të Notre Dame solli reagime ndërkombëtare dhe angazhoi dhjetëra sipërmarrës dhe biznese fitimprurëse në dhurimin e fondeve që do të ndihmojnë në restaurimin e plotë të ‘Zonjës së Madhe’ të Parisit. Njëkohësisht u soll në vëmendje problematika e mbrojtjes së monumenteve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore si vlera të përbashkëta të identitetit kulturor evropian. / k.j