Një portret i panjohur i Skënderbeut, zbulohet në Itali (FOTO)
Një portret i panjohur i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, i punuar në shek XVI, është zbuluar në Arkivën e Shtetit në Siena, të fqinjit tonë Italisë. Ai është i ndryshëm nga perceptimet e deritanishme për Skënderbeun dhe nuk ngjason aspak me pamjen që jemi mësuar të shohim në libra të historisë.
Heroi Kombëtar shfaqet si një luftëtar me përkrenare dhe veshje lufte të ndryshme nga ajo që përdoreshin nga shqiptarët. Portreti i panjohur i Skënderbeut është i punuar në një kupë porcelani dhe ka një histori krejt të veçantë.
Portreti i përket vitit 1535 dhe është realizuar në zonën e Fuencas në jug të Italisë. Në këtë zonë, me traditë në punimin e porcelanit, ekzistonte edhe një tendencë për t’i pasuruar dhe zbukuruar prodhimet artistike me portrete të personazheve të shquara të historisë. Pjesë e kësaj tradite, sipas tij, është edhe një kupë me lartësi 28.5 cm, në faqen e së cilës është pikturuar portreti i Heroit Kombëtar.
“Në atë kohë, në punimin e sendeve prej porcelani në këtë zonë, ekzistonte një stil punimi, i emërtuar “bello“, që konkretizohej në zbukurimin e prodhimeve me portrete të njerëzve të shquar”, – thotë studiuesi Fahri Shaska.
Portreti i pazakontë i Skënderbeut na bën të kërkojmë një përgjigje nëse autori i veprës i ka qëndruar besnik pamjes së Skënderbeut, dhe portreti që ne njohim nuk është i vërteti, apo e ka bërë punimin duke u nisur nga një perceptim individual, nisur nga emri dhe fama e heroit të shqiptarëve.
Megjithatë, sipas studiuesit Shaska, ky portret i panjohur, reflekton peshën, famën dhe emrin e Skënderbeut përtej Adriatikut dhe më gjerë, si një luftëtar i madh që doli fitimtar ndaj perandorisë më të fuqishme të kohës dhe që frenoi invazionin turk në Perëndim.
/ATSH