Nis Festivali i 53-të në RTSH
Festivali i 53-të i Këngës në RTSH, aktiviteti më i rëndësishëm muzikor i fundvitit në Shqipëri, ka ngritur më 26 dhjetor në mbrëmje siparin e tij në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Prezantuesit Turjan Hyska dhe Floriana Garo, kanë krijuar një komunikim mjaftë orgjinal dhe të ngrohtë me publikun, ndërsa kanë përcjellë hap pas hapi 13 këngët e para konkurrente. Të shtunën do të paraqiten 13 këngë të reja.
Skenografia e festivalit të sivjetëm ka një shkëlqim të veçantë. Ajo mban emrin “Pema e jetës” dhe është krijuar nga Patrizia Bocconit, ndërsa Marcelo Lazzeti është drejtor fotografie. Skenari i festivalit është kuruar me një stil origjinal nga gazetarja e njohur Mira Tuci, ndërsa regjia i është besuar regjisorit me përvojë Bledar Laço.
Organizatorët e Festivalit të 53-të të Këngës në RTSH, vetë producenti i tij Martin Leka, premtojnë një festival që do të mbahet mend gjatë në kujtesën e artëdashësve shqiptarë. Ata shpresojnë që edhe kënga fituese të jetë një përfaqësim dinjitoz i Shqipërisë në Festivalin Europian të Këngës në Eurovizion.
Të gjitha netët e festivalit veç transmetimeve në rrjetin satelitor dhe tokësor të TVSH, mund ti ndiqni dhe në LIVE STREAM në rtsh.al /Rtsh.al