Sot në mbrëmje nis edicioni i 16-të i Tirana International Film Festival (TIFF), eventi i cili sjell kinematografinë botërore në Tiranë dhe promovon njëkohësisht dhe kinematografinë shqiptare. Premiera e parë do të jetë filmi ikonik i Sergio Leones “Na ishte njëherë në Amerikë” (Once upon a time in America), i cili do të vi me një variant të restauruar në teknologjinë 4K. Versioni përmban dhe skena të prera në premierën e vitit 1984 dhe shfaqet si premierë rajonale në Tiranë.
Në edicionin e sivjetshëm janë përzgjedhur për të hyrë në garë 128 filma në disa kategori. ndërsa mbi 100 të tjerë do të shfaqen në kategoritë speciale. Filma homazh apo kandidatë për Oscar do të vijnë përgjatë ditëve të festivalit. Tirana International Film Festival është eventi më i rëndësishëm kinematografik që zhvillohet në Shqipëri, jo vetëm për nga vjetërsia dhe eksperienca, por edhe për numrin e madh të aplikimeve, aftësinë selektive të filmave, programit të pasur dhe premierave të filmave më të rëndësishëm në tregun kinematografik sot në botë. Për këto arsye, Tirana International Film Festival, pas aplikimit u kualifikua si festival nga Academy of Art and Sciences USA me të drejtën që fituesi i Best Short Live Action/Animation të renditet në listën nga ku do të dalin fituesit e Oscar-it për këto kategori.
Ky vlerësim e rendit TIFF-in midis 94 festivaleve më prestigjioze të planetit si: Cannes, Berlin, Venice, Locarno, Sundance, Tribeca etj., duke u dhënë kështu një shans të madh filmave të prodhuar në Shqipëri, Kosovë, rajon e jo vetëm, të konkurrojnë për këtë çmim të madh”, thonë organizatorët e këtij aktiviteti. Sipas tyre, ishin këto arsye që tërhoqën vëmendjen e regjisorëve dhe producentëve, duke e çuar numrin e aplikimeve deri në 3700 dhe duke e bërë edhe më të vështirë përzgjedhjen e tyre.
Një pjesë e rëndësishme e këtij edicioni të 16-të është edhe programi special, gjatë të cilit do të shfaqen 127 filma. Ka mes tyre shfaqje speciale, premiera që po qarkullojnë pikërisht tani në kinematë e Europës e të botës si: “Don’t Worry, He Won’t Get Far on Foot” nga Gus Van Sant, “Suspiria” nga Luca Guadagnino, “The House That Jack Built” nga Lars von Trier. Në TIFF do të shfaqen po ashtu edhe 10 filmat e shkurtër të nominuar në Oscar 2018.
Në vazhdim të nismës së vitit të shkuar, TIFF-i do të ofrojë KIDS, një program ekskluziv për fëmijët çdo ditë në Teatrin e Kukullave, nga ora 10:30, si një investim afatgjatë për të rritur e edukuar audiencat e ardhshme të kinemasë me filmin artistik nëpërmjet projekteve të fituara në Creative Europe, për shpërndarjen dhe promovimin e filmave europianë. / k.j
Burimi: Balkanweb