Tematika e drejtësisë tranzicionale dhe rëndësia e saj sa vjen e bëhet më prezente në vendin tonë. Shpeshherë kur dëgjohet të flitet për drejtësinë tranizicionale, mendimi i parë që të kalon nëpër mend është hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, rehabilitimi i viktimave të persekutimit komunist, dëmshpërblimi i tyre etj.
Por një komponent, mjaft i rëndësishëm në fakt, që lëmë jashtë kësaj tematike janë të rinjtë dhe angazhimi i tyre në procesin e dialogimit me të kaluarën. Fatkeqësisht në tekstet shkollore periudha e komunizmit në Shqipëri vijon të jetë plot me dritë-hije dhe pa një trajtim të thelluar mbi persekutimin komunist.
Për t’i dhënë një zgjidhje çështjeve të lartpërmendura, një aktivitet interesant u zhvillua javën e kaluar në formatin e punëtorisë me emrin “Historia e Komunizmit dhe ish-Sigurimit të Shtetit” në Wikipedian shqip. Ky aktivitet erdhi si rezultat i bashkëpunimit të frytshëm midis AIDSSH (Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit) dhe komunitetit “Wikimedians of Albanian Language User Group”.
Të dy komponentë të rëndësishëm, AIDSSH si një komponent kyç në Shqipëri që hedh dritë mbi dosjet e ish-Sigurimit dhe komuniteti i Wikimedianëve shqiptarë që iu mësojnë të rinjve dijet teknike bazë për të kontribuar në Wikipedian shqip. Interesi i të rinjve për këtë periudhë historike është i madh dhe përmes angazhimit në Wikipedia këta të rinj mund të njihen më mirë me atë periudhë duke kontribuar dhe zgjeruar informacionin për atë periudhë. Dhe mesa duket ia dolën!
Aktiviteti ishte konceptuar i ndarë në dy pjesë: pjesa e parë ishte teorike, e dedikuar për njohjen me konceptin e Wikipedias dhe strukturat horizontale që e udhëheqin atë. Ky aktivitet u përshëndet nga kryetarja e Autoritetit, zj. Gentiana Sula e cila theksoi gjatë fjalës hyrëse rëndësinë e të rinjve në dialogun social. Pjesa e dytë ishte praktike dhe pjesëmarrësit me dijet teknike bazë të absorbuara ia nisën punës me krijimin e artikujve.
Aktiviteti u përmbyll me përmirësimin e mbi 15 artikujve, krijimit të 3 artikujve të rinj bazuar mbi burime informacioni të dixhitalizuara. Ky aktivitet u përmbyll me shpërndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit.
/k.m/