“Ndal dhunës ndaj gruas”, sensibilizimi nepermjet artit
Dhuna ndaj gruas është e pranishme në shoqërinë tonë në të gjitha përmasat e saj më të këqija. Në Ditën Botërore kundër dhunës ndaj gruas, që është sot, zhvillohen aktivitete të ndryshme sensibilizimi në këtë drejtim. Në këtë kontekst, një regjisore e re ka pasur si ide sensibilizimin nëpërmjet artit, aktrimit dhe muzikës me një shfaqje gjithëpërfshirëse. Projekt i ideuar nga regjisore/producente Najada Elmazi në bashkëpunim me Qendrën ACT for SOCIETY dhe Lidershipin e të Rinjve të Tiranës, është një projekt ndryshe dhe tërësisht i veçantë përsa i përket mënyrës së organizimit. Kjo shfaqje mbështetet dhe nga Universiteti Europian i Tiranës me studentët e degës së Psikologjisë dhe me pjesëmarrjen e Dekanes së Studentëve në UET, Anisa Subashi, e cila do të mbajë dhe një fjalë të rastit për dhunën në familje. Ky aktivitetet është si një lloj strategjie e organizuar, me karakter sensibilizues për dhunën ndaj gruas. “Ne kërkojmë të bëjmë thirrje duke kontribuar në zbutjen e dhunës ndaj grave. E sjellë në formën e një programi të ngjeshur artistik, duke i dhënë mesazhet në një mënyrë të pari dhe të kuptuari të fenomenit duke përdorur artin. Të ftuar, meshkuj dhe femra së bashku për të ndjekur këtë program, i cili do të japë një mesazh të qartë mbi rolin dhe ndërgjegjësimin e sigurisht, rolin e mashkullit mbështetës ndaj rolit të femrës në shoqëri duke dënuar dhunën”, – thotë Najada Elmazi, regjisorja e shfaqjes. Ajo shton se “qëllimi ynë është që t’i përkrahim dhe t’iu gjendemi sa më pranë në mënyrë artistike duke depërtuar në vetëdijen e gjithsecilit. Në këtë aktivitet çdokush mund të kontribuojë vullnetarisht me praninë e tij apo dhe me kontribut monetar, e më pas gjithë shuma do të shkojë për gratë në nevojë”. Pjesët që do vihen në skenë do të jenë shumë interesante. Aktori Gent Zeneli do të vijë me një pjesë që e ka shkruar vetë, ndërkohë që do të shfaqet dhe një dokumentar i shkurtër, intervistë me një grua të dhunuar. Në këtë aktivitet janë ftuar organizata rinore dhe ato në mbrojtje të grave, përfaqësues nga qeveria dhe Trupi Diplomatik i akredituar në vendin tonë, njerëz të artit dhe politikës etj. Aktiviteti do të zhvillohet në ambientet e “AA Film Company” në Kinostudio, më datë 25/11/2014, në orën 18:00.
Marrë nga mapo.al