Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe Amfiteatri, gati për publikun pas restaurimit tërësor. 2400 objekte do ekspozohen me ndriçim modern
Muzeu Arkeologjik i Durrësit, do të ofrohet së shpejti për vizitorët vendas dhe të huaj, si një thesar tërësisht i rehabilituar. Kryeministri Rama, pa nga afër mjediset e Muzeut, si dhe ecurinë e punës që po bëhet aktualisht për muzealizimin e tij.
Me inisiativën e Ministrisë së Kulturës, në fund të vitit të kaluar, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës, drejtorinë rajonale, si dhe Bashkinë e Durrësit, u bë e mundur mbyllja e punimeve të rikosntruksionit dhe nisja e punimeve për muzealizimin, i cili përfshin restaurimin e objekteve arkeologjike dhe ekspozimin e tyre.
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro tha se me një fond tepër modest ka filluar restaurimi i të gjitha objekteve që nuk ishin prekur që nga vitet 1950, të cilat do të paraqiten për publikun në kushtet më optimale të ekspozimit.
“Më shumë se 2400 objekte do të ekspozohen në ndriçim modern, me ekspozitorë krejt të rinj, punuar dhe drejtuar nga specialistët tanë,” tha Kumbaro
Prej katër vitesh Muzeu arkeologjik i Durrësit qëndron i mbyllur, ndonëse në vitin 2010, për rikonstruksionin e tij u akordua një fond prej 1 milion e 200 mijë dollarësh, më të cilin nuk u bë asgjë.
Ministrja bëri të ditur se vënia në funksionim e muzeut arkeologjik do të ecë paralelisht me punimet për amfiteatrin e Durrësit, i cili gjithashtu i është nënshtruar restaurimit.
“Muzeu do të jetë një nga atraksionet e rëndësishme sepse do të jetë pjesë e një itinerari që po ndërtojmë me amfiteatrin e Durrësit, i cili dhe ai i është nënshtruar një restaurimi dhe ndriçimi të ri dhe do të vazhdojmë me rehabilitimin e arenës së brendshme,” sqaroi ministrja Kumbaro.
Ndërsa Drejtoresha e muzealizimit Edlira Çaushi, informoi se Laboratori për konsvervimin e objekteve arkeologjike është zhvendosur që prej muajit mars në mjediset e Muzeut dhe se shumë shpjet pritet të hapet kati i parë i Muzeut.
“Puna ka qënë vërtetë intensive. Ne kemi ardhur këtu që në muajin mars, jemi zhvendosur këtu dhe kemi konservuar të gjitha objektet që do të ekspozohen në katin e parë të ndërtesës. Kemi përfunduar me konservimin e objekteve dhe do të procedojmë me vendosjen nëpër vitrina. Pjesa e madhe e punës ka përfunduar, një pjesë e vogël mbetet për ta mbyllur sa më shpejt.” – u shpreh zonja Çaushi.
Në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit, është bërë rikualifikimi i hapësirës së jashtme të Muzeut, përsa i përket kanalizimeve, drenazhimit dhe ndriçimit të saj
Duke e vlerësuar Muzeun, si një prej aseteve më të mëdha të qytetit të Durrësit, kryetari i Bashkisë Vangjel Dako, tha se Bashkia ka ofruar angazhimin maksimal për ta shndërruar atë një destinacion të rëndësishëm kulturor për turistët e vizitorët.
“Po presim me padurim përfundimin e punimeve, pasi Muzeu është aseti më i madh që qyteti i Durrësit ka. Është një pikë shumë e rëndësishme, pasi kushdo që viziton Durrësin, viziton edhe këtë Muze bën pjese na atraksionin turistik të qytetit të Durrësit. Prandaj jemi shumë të motivuar që punimet të përfundojnë sa më shpejt. Kemi vënë edhe kontributin tonë si bashki për rikualifikimin e hapësirës jashtë Muzeut. Për pothuajse 20 vite nuk kishte vënë dorë askush,” tha Kryetari i Bashkisë Durrës.
Dako tha se nga dita në ditë, Durrësi po ofron një panoramë krejt të re, një transformim në të gjitha aspektet./j.h
Marrë nga gazetatema.net