Muret e heshtur të Tiranës
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2018/11/4986e873-280b-41cc-bc34-29f02ed09a11.jpg)
Kryefjala e zhvillimeve të javëve të fundit është padyshim paketa e propozuar “anti-shpifje”, e cila nga shumë qytetarë, analistë dhe media po konsiderohet si një formë e pastër censure, që pengon të drejta themelore të njeriut si liria e fjalës dhe e shtypit. Iniciativa të tilla ligjore, tregojnë qartazi mbi përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve dhe pushtetit politik, për shtypjen e lirisë së mendimit e për të kthyer propagandën në të vetmen linjë mendimi.
Këto përpjekje që në thelb të tyre kanë censurimin e mendimit ndryshe, vazhdojnë prej vitesh tashmë dhe kanë marrë përmasa deri diku të frikshme, aq sa edhe graffiti më i pafajshëm në cepin më të humbur të Tiranës, shihet si kërcënim. Që nga kronikat e gatshme për edicionet e lajmeve në televizion, te postimet e pafundme në rrjetet sociale për punën e përditshme të Bashkisë, realiteti që po na serviret është tej perfektes dhe përpiqet qëllimisht të lërë në heshtje ndodhi të tjera të së përditshmes, që nuk i shërbejnë kronikave të gatshme.
Shembulli më konkret është protesta e vazhdueshme për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Prej muajsh tashmë, në oborrin e Teatrit Kombëtar mblidhen përditë aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, por nëse nuk të bie rruga andej, zor të marrësh vesh se ç’po ndodh realisht.
Në muret e Tiranës, ca të lyer e të zbukuruar me luledielli, e disa të tjerë të shkepur e të lagështuar, mund të gjesh dhe art e graffiti që i bashkohen rezistencës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar apo shumë kauzave të tjera të “padenja” për edicionet qendrore të lajmeve në televizionet kombëtare. Mundësia më e mirë për të pare këto vepra janë rrjetet sociale, por ka shumë mundësi që nëse del për ti kërkuar në vendin ku disa ditë më pare është shkrepur fotoja, sot do gjesh një mur të lyer pjesërisht.
Street-art dhe graffitti të tillë shoqërojnë shumë ndodhi të aktualitetit tonë, të cilat lihen jashtë vëmendjes së opinionit publik nga mediat e mëdha, por sërish mesa duket ka ende qytetarë dhe individë të shoqërisë, që arrijnë të shohin përtej kronikave të gatshme të edicioneve qendrore. /k.j