Mendimi i parë i bukur për këtë të hënë, 4 maj, është fjala…
Në 1942 në një shtëpi dykatëshe në Petropolis të Brazilit, vendosur mbi një kodrinë të mbuluar nga gjelbërimi, Stefan Cvajg shkruante librin “Bota e djeshme”. Përshkruante qëndrueshmërinë e Vjenës së Franc Jozefit në fundshekullin e 19-të dhe fliste për një botë ku asgjë nuk ndryshonte. Në atë stabilitet, që sot mund të na merrte frymën, lulëzonte diçka e komplikuar: fjala.
Ishte përmes saj që poetë, shkrimtarë, filozofë, psikologë, mjekë, humanistë, shkencëtarë, mjekë edhe revolucionarë shkëmbenin polemikat dhe qarkullonin nën atë botë të palëkundur, monotone deri në vdekje, idetë më të vrullshme që do ta transformonin shekullin e mëpasmë.
Përpiqem të ruaj nervat teksa ngas makinën për në punë, në trafikun e çliruar nga karantina, dhe nuk mund të mos mendoj se fjala lulëzon kur bota është e palëvizshme si shkëmbi, por përgjumet kur ajo gjallon. Në këtë botë kur vëmendja humbet pas sekondës së tretë, shpërqëndruar nga diçka e re që lëviz para syve, i frymëzuar nga një rubrikë e La Repubblica, vendosa të ndërtoj çdo mëngjes një mendim.
Në fund të shkurtit të vitit 1942, pak para se t’i jepte fund jetës në një akt proteste ndaj nazismit, Cvajg shqetësohej që nuk kishte para asnjë dokument arkivor për të shkruar librin e tij të fundit. Kishte vetëm kujtimet e seleksionuara ndoshta sipas rëndësisë edhe fjalët me të cilat ai do të ndërtonte veprën e tij ndoshta më të bukur. Disa psikologë e konfirmojnë këtë. Në studime për fëmijët ata kanë zbuluar se më të vegjlit i ndërtojnë kujtimet e para sapo mësojnë ti emërtojnë sendet rreth tyre. Ata e ndërtojnë realitetin përmes fjalëve.
Hidhini tani çfarë keni në duar, mbyllini sytë edhe filloni të ndërtoni diçka të re.
Me fjalë…