“Librari njerëzore”, rrëfenja nga anëtarët e komunitetit LGBTI+

“Librari njerëzore” u quajt event i organizuar nga Aleanca LGBT pranë Liqenit Artificial në Tiranë. Qytetarët kalimtarë u ftuan nga pjesëtarë të komunitetit LGBT për t’ju afruar grupit që qëndronin të ulur në lëndinë, përballë Amfiteatrit dhe për të dëgjuar historitë e tyre njerëzore.
Erli dhe Erla, dy studente, iu përgjigjën pozitivisht ftesës së anëtarëve të komunitetit LGBT.
“Për mua ishte hera e parë por ishte shumë rehat, shumë këndshëm. Ndjehem shumë mirë që takova persona të komunitetit LGBT, por thjesht ndjehem keq që ata duhet të ndjehen të ndrydhur nga shoqëria”, tha Erla për Historia Ime.
Ajo, së bashku me Erlin, kanë pasur mundësinë të dëgjojnë rrëfenjat jetësore të peronave transgjinorë apo anëtarëve të tjerë të komunitetit dhe të shkëmbejnë emocione lidhur me mënyrën si shoqëria heteronormative u qaset individëve LGBTI+.

Duke e konsideruar si një takim që nxit empatinë, Erli dhe Erla pohuan se do t’i bashkohen edhe paradës në shtator.
“Nuk merrem me rrjete sociale, është hera e parë që shikoj që bëhet diçka dhe ta dija do isha angazhuar më përpara. Sot për shembull mora vesh që edhe në shtator mund të bëhet një marshim. Nuk i dija aspak. Do bashkohemi në paradë”, u shpreh Erla.
Dy vajzat që iu bashkuan rastësisht organizimit patën mundësinë të dëgjojnë edhe historinë e Luanës, e cila e konsideron veten se i përket gjinisë së tretë. Ajo u rrëfeu dhe të pranishmëve të tjerë se rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë.
“Nuk e di pse u ngjiza në këtë lloj mënyre, gjysmë femër, gjysmë mashkull, pse brenda botës sime të brendshme unë jam femër dhe në trup jam mashkull. Unë kam kuptuar që unë nuk jam gabim në trupin tim”, – rrëfeu Luana, teksa pohoi se krahas dy gjinive kryesore duhet shtuar dhe një koncept i ri.

Koncepti i ri është një mënyrë për të përfshirë të gjithë ato individë që ndjehen se nuk i përkasin ndasisë me thikë të shoqërisë, në femër apo mashkull, duke i veshur rolet tipike të gruas apo burrit.
“Duhet një gjini e tretë që përmbledh personat trans dhe njerëzit jo binarë, që nuk e kanë përcaktuar ende gjininë e tyre por edhe personat interseks”, – shpjegoi Luana, teksa ishte e rrethuar nga të pranishmit që morën pjesë në “Librarinë njerëzore”.
Biseda kaloi mes degëzimesh të ndryshme, herë u ndanë përjetime të fëmijërisë, herë sfidat gjatë periudhës së pubertetit, teksa ishin formuar mini-grupe që socializoheshin mes tyre, krahas familjeve të tjera që kishin vendosur ta kalonin një pjesë ta paradites dhe periudhën e drekës duke shëtitur liqenin artificial.