Kumbaro: Artistët, gati reforma e pensioneve për 2015
Alma Mile për panorama.com.al
Ministrja e Kulturës mbi vitin që lamë pas e atë që presim.
“Do punojmë me buxhete të shtrënguara, por kemi rritje me 1,5 milionë USD”
Fati i “Onufrit” në janar: Nuk do i mungojë Tiranës
Projekte rikonstruksioni për skenat e TKOB dhe TK
Në mbrëmjen e organizuar me rastin e fundvitit në Pallatin e Brigadave, përballë komunitetit artistik, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro nuk i rezistoi dot tundimit që të rendiste arritjet e këtij viti, por pastaj i la mënjanë fletët që kishte përgatitur. Fundja njerëzit kishin ardhur për të festuar dhe jo për analizë vjetore. E megjithatë, kur mbyllet një vit, një e tillë duhet. Një vit i vështirë, me shumë nisma, me shigjetime, kritika… Disa pyetjeve që shumë mund t’i kenë bërë në heshtje, apo jo asaj në mënyrë të drejtpërdrejtë, ministrja Mirela Kumbaro u përgjigjet përmes gazetës “Panorama”.
Një vit, i gjatë, i vështirë, çfarë do të veçonit si “më të mirat”?
Kur kthej kokën pas, nuk më duket si një, por pesë vjet, për nga ritmi dhe intensiteti i ngjarjeve, megjithatë, nëse do të më duhej të ndalesha në disa piketa kryesore, do të veçoja dy reformat e mëdha strukturore në fushën e artit dhe kulturës, në institucionet e artit skenik dhe në sistemin e trashëgimisë. Në të dyja besoj se kemi bërë një përmbysje në sistemin e menaxhimit. Ndërtuam për herë të parë kontratat individuale dhe kjo u bë në bashkëpunim shumë të ngushtë me komunitetin e artistëve. Vendosëm audicionet publike, transparente për të gjitha produksionet artistike, në të gjitha skenat e teatrove. Kjo ka sjellë edhe punësimin e të rinjve me kontrata të përkohshme ose 1-2 vjeçare si në TKOB, në Teatrin e Kukullave, Teatrin Eksperimental, në Cirk. Kjo është shenjë e rëndësishme e oksigjenit që po hyn në skenën e gjallë. Konstatojmë me kënaqësi kthimin e publikut në salla. Isha në Teatrin Kombëtar dhe, ndonëse e martë, prag Krishtlindjesh, ishte kënaqësi të shihje se të gjitha biletat ishin shitur me premierën e fundit “Shtëpia pa dritare”. TKOB ka arritur 200 shfaqje me 25 premiera dhe do të mbyllë sezonin me një premierë baleti. Duhet thënë që për TKOB ka qenë një vit i vështirë, buxhetet ishin vendosur përpara se drejtori të mund të ndërtonte kalendarin artistik, por edhe vit i mbushur me debate shumë të forta për të realizuar reformën strukturore. Edhe në këto kushte ka vendosur produksione të rëndësishme si opera “Madame Butterfly”, koncerti i Tedi Papavramit, mbrëmja e Eno Peçit, baleti i Angjelin Preljocajt, e kështu me radhë.
Statusi i artistit është një nga ato çështje, që ende s’ka marrë zgjidhje, ç’do sjellë ky vit?
Ministrja Kumbaro, gjatë një vizite në Galerinë Kombëtare të Arteve
Sapo kemi filluar punën për reformën e pensioneve, që është edhe një nga pikat kryesore të statusit të artistit, të cilët me të drejtë të plotë nuk mund të kenë të njëjtin ritëm pune, jetese, produktiviteti, si gjithë profesionet e tjera. Po bashkëpunojmë me artistët, sindikatat dhe kemi arritur në një propozim të përbashkët dhe do të bashkëpunojmë dhe me Ministrinë e Punës që në vitin 2015 reforma e pensioneve për artistët të bëhet reale.
Ju përmendët kritere, audicione, por 2015-a ju gjen me një infrastrukturë të rënduar në disa institucione artistike, ç’do të bëni në këtë drejtim?
Ndërsa vendosim kritere punësimi të forta, konkurse publike, është e nevojshme që të krijohen kushte pune më të mira nga ç’i kanë pasur, duke filluar që nga ngrohja e sallës, që vlen si për artistët, edhe për publikun. Kam kënaqësinë të them se sallat këtë vit kanë qenë të ngrohta dhe publiku s’ka ndier nevojën të rrijë me pallto. Jemi në rrugë të mbarë për ristrukturimin e Teatrit të Operës dhe besoj që viti 2015 do të ketë lajme të mira edhe për skenën e Teatrit të dramës.
Si ka rezultuar ky vit në fushën e trashëgimisë kulturore?
Bëmë një përmbysje të skemës së menaxhimit, që konsiston në reduktim të kostove administrative, duke ulur numrin e drejtorive rajonale, por duke shtuar numrin e sektorëve që mbulojnë gjithë territorin e Shqipërisë. Kemi futur konceptin e mirëmbajtjes së ditëpërditshme. Me trishtim kemi konstatuar monumente të harruara, siç është kisha e Shën Mërisë në një nga fshatrat e Delvinës, ku kishte mbirë pema e kishte dalë mbi çati. Kjo do të thotë që të paktën për 20 vjet ajo nuk ishte prekur me dorë. Përveçse e kemi rikonstruktuar, kemi kaluar edhe në restaurimin e pikturave murale të saj. Kemi një plan kombëtar të restaurimit me prioritete, duke qenë që kostoja e tyre është shumë e lartë.
Si do e zgjidhni këtë problem?
Sado të lartë ta ketë buxhetin për kulturën, shteti e ka të pamundur të mbulojë 100% ruajtjen, konservimin, restaurimin dhe kjo nuk ndodh as në vende si Franca dhe Italia. Ndaj është e domosdoshme një strategji bashkimi forcash, në radhë të parë me pushtetin lokal. Kemi bashkëpunime të shkëlqyera në disa raste, si në Durrës, ku në bashkëpunim me Bashkinë, me Ndërmarrjen e Gjelbërimit, Ujësjellësit etj. kemi bërë drenazhimin e plotë të oborrit të Muzeut Arkeologjik, kemi tharë ujërat, që për 10 vjet rrënonin shkallët e brendshme të Amfiteatrit, kemi bërë pastrimin nga vegjetacioni të të gjitha monumenteve. Po kështu, kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Bashkinë e Korçës, ku po ngremë një qendër të re të artit dhe kulturës mesjetare, që do të jetë gati në vitin 2016, për të ekspozuar të gjitha ikonat që janë në bodrumin e ndërtesës aktuale, duke treguar 200 prej tyre, në një kohë që kemi 6 mijë të tilla. Bashkëpunim po aq të mirë kemi me Bashkinë e Shkodrës, të Lezhës etj.
Në ç’pikë jeni me inventarizimin e monumenteve të kulturës?
Brenda një viti në disa zona kemi arritur të bëjmë 90% inventarin e monumenteve të kulturës, në zona të tjera në shifra prej 70%. Besoj se në mesin e 2015-s do të kemi një inventar të plotë të monumenteve të kulturës në Shqipëri. Inventari i fundit i takon fundit të viteve ’90, ku ne gjetëm të regjistruara në arkivin e IMK-së 2700 monumente, te të cilat ka shumë që nuk janë përfshirë dhe të tjera që nuk ekzistojnë fare fizikisht. Vetëm një prekje me dorë e gjithë territorit dhe çdo monumenti na e bën të mundur këtë lloj inventari.
Keni pretenduar të bëni një revolucion në mënyrën e shpërndarjes së fondeve, ia keni arritur?
Shpërndarja e fondeve artistike ka qenë një punë shumë e madhe. Për të parën herë MK ofroi një garë për të gjithë, me kritere të qarta e publike. Falë këtij mekanizmi, ku 350 subjekte aplikuan, 110 projekte u mbështetën, u krijua një kalendar artistik i skenës së pavarur përtej institucioneve shtetërore, që ka pasuruar në mënyrë të ndjeshme atmosferën kulturore në gjithë vendin. Do të vazhdojmë me të njëjtën formulë për vitin 2015, për të cilin kemi hapur thirrjet dhe për një menaxhim më të mirë do të ketë një thirrje unike, që u jep mundësinë subjekteve kulturore të organizojnë më mirë planin e tyre vjetor dhe po kështu Ministrisë të menaxhojë më mirë fondet në shërbim të tyre. Objektivi ynë i përbashkët duhet të jetë që skena e pavarur të jetë një zë i fuqishëm në hapësirën kulturore shqiptare. Nuk duhet të dominojë në një shtet demokratik kultura institucionale, por e artit dhe kulturës, totalisht e pavarur nga institucionet dhe institucionet ta mbështesin atë. Jemi në fillim të këtij koncepti dhe kjo nuk ndërtohet as me një vit dhe me as një mandat, por them se jemi në rrugën e duhur. Jam shumë e vëmendshme ndaj të gjithë zërave kritikë, janë vetëm të shëndetshme dhe dua t’i falënderoj edhe kur ato vijnë nga mosdija ose mungesa e disa informacioneve.
Ka pasur institucione, buxhetet e të cilave kanë qenë gati qesharake, sa “bujare” do të jetë MK këtë vit?
Kemi një rritje të buxhetit me 1,5 milionë dollarë krahasuar me vitin e kaluar. Edhe këtë vit buxhetet do të jenë pak të shtrënguara për shkak të gropës financiare, që nuk qenka edhe aq e lehtë të mbushet. Me gjithë përpjekjet dhe sistemin e kursimeve që po aplikojmë, nën survejimin e organizatave ndërkombëtare, si FMN dhe BB, nuk veprojmë dot me buxhete të ekzagjeruara. Por me një menaxhim shumë të kujdesshëm mund të nxirren produkte shumë të rëndësishme. Ka plot xhepa në qesen e buxhetit, të cilat, nëse jemi pak punëtorë, mund t’i shfrytëzojmë. Për vitin 2015 kemi rritje të tij për të gjitha institucionet. Kështu, kemi dyfishimin e buxhetit të projekteve për GKA, që ka qenë një nga institucionet më pak të financuara. Kemi një komunikim të vazhdueshëm, në mbështetje të institucioneve, i nxisim në hartimin e projekteve afatgjata, por dhe të vendosin partneritete, të gjejnë donatorë, por i gjithë sekreti është te një menaxhim i mirë dhe kjo nuk bëhet as nga një njeri apo një drejtor, por duhet të punojmë si një skuadër.
Keni mbështetur 110 projekte, a e keni monitoruar dhe matur impaktin e tyre në publik?
Në 110 projekte kemi vendosur një mekanizëm monitorimi, ku përfshihet, që nga prania fizike e skuadrës së MK, monitorimi i medias, i informacioneve që marrim nga rrjetet sociale, që na jep publiku etj. Ishte një eksperiencë e re si për Ministrinë, duke qenë që për përvojat e mëparshme nuk kishim asnjë raport e statistikë, por edhe për subjektet. Me hyrjen në fuqi të ligjit për administratën publike kemi punuar në mangësi forcash pune, dhe monitorimi i 110 projekteve ka qenë një detyrë shumë e vështirë. Kemi mobilizuar edhe institucionet e varësisë edhe drejtoritë rajonale, për të mbuluar gjithë territorin. E kam të vështirë të them një shifër të saktë për vizitueshmërinë e publikut, sepse ndryshe nga institucionet që funksionojnë me bileta, aktivitetet e mbështetura përgjithësisht nuk gjenerojnë të ardhura. Ka qenë një vit paksa eksperimental, një mësim edhe për skenën e pavarur kulturore, se si të hartojnë projekte, si të gjejnë para e t’i menaxhojnë ato. Ky vit i dytë do të jetë interesant, do të përcaktojë një hierarki vlerash. Jemi të gjithë të barabartë në shanse, por duhet të ketë edhe një sistem vlerësimi se cili ka qenë më i suksesshëm, cili meriton të mbështetet përsëri. Nuk mund të them se kanë qenë 110 projekte të shkëlqyera, por kanë qenë 110 klasa, ku subjektet artistike kanë provuar veten.
Nëse teatri, opera etj. janë më të “menaxhueshme”, arti bashkëkohor, edhe për vetë specifikën e tij duket si më i “hallakatur”, a keni ju një politikë posaçërisht për të?
Arti bashkëkohor nuk mund të jetë institucional, duhet të vijë nga skena e lirë, ndryshe humbet koncepti mbi të. Ministria duhet të mbështesë, por ajo nuk bën tendenca dhe nuk krijon prioritete në krijimtarinë e lirë të artistëve. Duke qenë të ndërgjegjshëm për këtë “hallakatje”, me politikën e Ministrisë, në projektet që kemi mbështetur u kemi dhënë përparësi individëve, organizimeve, ekspozitave, performancave, që me një përkufizim relativ janë përfshirë në atë fashë që quhet art bashkëkohor, ndryshe nga eksperiencat e mëparshme, ku mbështetja ka qenë tradicionale dhe e përqëndruar në njerëz të afërt vetëm në disa grupe, që kanë qenë të afërta me MK. Aktivitetet që nxisin punësimin e të rinjve, kanë karakter edukativ, sjellin publik, meritojnë të mbështeten. Një fenomen pozitiv është hapja e shumë qendrave të artit bashkëkohor në Tiranë dhe do të donim të nxisnim hapjen e tyre edhe në rrethe. Kemi qenë shumë të vëmendshëm ndaj këtij grupimi dhe i kemi mbështetur e promovuar. Por, e theksoj, arti bashkëkohor s’mund dhe s’duhet të jetë institucional.
Jam dakord me organizimin e aktiviteteve edhe në hyrje pallatesh, eksperimente janë, por shpreh bindjen se artistëve u duhet një qendër e artit bashkëkohor…
Krijimi i një qendre të tillë është në prioritetet tona, por për momentin jemi munduar që hapësirat që kemi, t’i nxjerrim nga korniza e tyre fikse. Marrim rastin e Muzeut Historik Kombëtar, që nga një institucion i mbyllur dhe tradicional, e ka hapur atriumin dhe e ka kthyer në një skenë të artit, që nga festivali rrok te muzika klasike, për të vijuar me hollin e TKOB, hapësirat e GKA etj. Janë hapësira ku shteti dhe taksapaguesit investojnë dhe nuk e kemi luksin që t’i mbajmë në formën e tyre klasike. Kjo nuk u pëlqen artistëve profesionistë, por institucionet e artit nuk mund të jenë të dedikuara vetëm për ta. Janë eksperienca që i kanë ndjekur para nesh vende të tjera, institucione të mëdha, që nga Luvri te Kapela Sistine në Vatikan etj.
Jemi në pritje të një “reflektimi” mbi “Onufrin”, ç’po ndodh ndërkohë?
“Onufri” është një aktivitet shumë i rëndësishëm. Është një temë që, edhe kur nuk isha ministre, e kam ndjekur si artdashëse, po kështu edhe debatet që e kanë shoqëruar atë në 10-vjetëshin e fundit. Kam marrë, qoftë nga drejtues të njëpasnjëshëm të Galerisë Kombëtare të Arteve, pjesëmarrës ose jo, komente nga më të ndryshmet, kritika, ankesa dhe kjo është shumë e shëndetshme. Me kushte shumë të vështira financiare ne arritëm të realizojmë edicionin e 20-të të “Onufrit 2013”, për të bërë në një farë mënyre edhe rrumbullakosjen e një cikli. Është një aktivitet që kontradiktën e ka qysh në titull, mes emrit dhe asaj çka ka ofruar. Nuk mund të flasim për një aktivitet që ka pasur stabilitetin e tij, por që ka pasur ulje dhe ngritje. Në këtë kontekst, menduam të bënim këtë “reflektimin” që thoni ju.
Pse kaq vonë?
Intensiteti i aktiviteteve këtë vit ka qenë tepër i madh dhe i ngjeshur. Por nuk është as normale që këtë reflektim ta fillojë shteti e jo komuniteti artistik, megjithatë duke qenë se jemi duke u rritur bashkë, do ta bëjmë…
Për një aktivitet të Ministrisë s’mund të vendosin artistët…
Jo të vendosim, por të komunikojmë. Ndaj ne kemi vendosur që në janar të organizojmë një tryezë me përfaqësues të komunitetit, kuratorë, ish-drejtues të Galerisë, artistë, por edhe gazetarë të kulturës, për të rrahur idetë dhe për të nxjerrë të gjitha ato bisedat e kafeneve apo të rrjeteve sociale, në një kuadër institucional. Pra, do të kemi një “Onufër” të debatit dhe ideve për vitin 2014 dhe jo të veprave të ekspozuara. Ajo për të cilën unë jam e bindur, është që Tiranës i duhet patjetër një ngjarje e rëndësishme vjetore në fushën e arteve pamore. Në do të jetë formati i “Onufrit” si ka qenë, kombëtar apo ndërkombëtar, në formën e konkursit apo të ekspozimit, them të presim këtë debat, për të dalë në një konkluzion përfundimtar për vitin 2015.
Si do ta vlerësonit performancën e drejtuesve të institucioneve të varësisë?
Dua t’i falënderoj, sepse kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në kushte shumë të vështira. Kanë bërë një punë me pasion dhe me pak mundësi financiare. Njëkohësisht kanë ndërmarrë edhe reformën institucionale, edhe kanë ndërtuar kalendarët artistikë. Kanë përballuar një sfidë shumë të madhe.
Mendoni se do të ketë lëvizje mes tyre?
Nuk shoh arsye pse.
Znj. ministre, folëm shumë për fonde, për pamjaftueshmërinë e tyre, në një kohë që emri juaj është lakuar shumë për realizimin e tenderit të festivalit të dritave që kapte 200 mijë euro. Cila ëshë e vërteta?
Ajo për të cilën më vjen keq, është dalja në përfundime pa konsultuar të gjitha burimet e informacionit, çka nuk i është mohuar askujt. Festivali i Dritave u miratua nga Komisioni Shtetëror i Festimeve të 70-vjetorit të Çlirimit, si një nga aktivitetet me këtë rast. Nga një hetim që iu bë tregut, qoftë lokal apo ndërkombëtar, u vendos një fond mesatar prej 28 milionë lekësh të rinj. Ky është fondi limit. Me thirrjet dhe garën që zhvilloi Ministria e Kulturës, u përzgjodh kompania fituese, e cila ofroi propozimin 16 milionë lekë. Ky është një aktivitet që kushton 5 apo 6 herë më shumë në vende të tjera. Mendoj se kemi bërë më të mirën e mundshme për të sjellë në një mënyrë bashkëkohore, me një teknologji të re dhe një formë estetike, një kujtesë historike.
Në momentin që flasim për buxhete qesharake institucionesh, a nuk duket një luks ky festival pakorësh?
Nëse do ta konsiderojmë organizimin e festave dhe aktiviteteve luks, atëherë jemi duke konsideruar luks elementin kulturor. Kultura nuk është një luks që konsumohet pasi ke zgjidhur problemet e ekszitencës, sepse me këtë logjikë nuk kemi pse bëjmë teatër apo opera. Nëse një moment do të më duhej të zgjedhja mes investimit në një rrugë apo në një teatër, do preferoja këtë të fundit. Nëse nuk do kishim bërë asgjë, do ishim kritikuar po njëlloj për heshtjen, mungesën e aktiviteteve etj. Por, mund t’ju kujtoj se për të realizuar këtë festival, të parin e këtij lloji në Shqipëri, u shpenzuan vetëm 160 mijë dollarë; 1,9 milionë dollarë u harxhuan për gjithë vizitën e Papës, nga të cilat rreth 70% mbeten investime publike (restaurimi i sheshit “Nënë Tereza”, Pallatit të Kongreseve, Muzeut Kombëtar që nuk ishin prekur që kur janë ndërtuar…), ndërsa për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, vetëm për koncertin e datës 28 Nëntor 2012 janë harxhuar 1,4 milionë dollarë, vetëm për ndërtimin e skenave, prej të cilave sot nuk ma do mendja se na ka ngelur gjë.
Znj. ministre, është folur jo pak për marrëdhënien e “nderë” me Kryeministrin e vendit, si do ta konsideronit ju marrëdhënien me z. Rama?
Kam marrëdhëniet më normale që mund të ketë një ministër me Kryeministrin, marrëdhënie pune, konstruktive, të shëndetshme, ku diskutohet, ndërtohen projekte, “të folurat” janë thjesht produkt i fantazisë.
Ka pasur lot?
Këto janë telenovela mediatike, s’kanë lidhje me realitetin…
Përfshirja e një projekti me regji të Arben Kumbaros, që është vëllai juaj, në Teatrin Kombëtar, ka qenë në qendër të vëmendjes mediatike, e konsideroni një “konflikt interesi”?
Nuk është financuar asnjë projekt i tim vëllai nga Ministria. Le ta themi për të 100-ën herë: Arben Kumbaro është regjisor, jeton me punën e tij si pedagog dhe regjisor teatri. Nuk ka një financim të projektit të vëllait tim, po një produksion të Teatrit Kombëtar, ku Arben Kumbaro do të bëjë punën e vet, që e ushtron që në vitin 1984 si regjisor dhe për të cilën do të marrë thjesht honorarin si gjithë artistët e tjerë.