Kryeministri “hipën mbi kullë” për të na treguar teatrin
Teatër pa kullë apo gjashtë kulla mbi teatër, për Kryeministrin Rama është çështje perspektive
Siç duket në këtë foto të shkrepur gjatë prezantimit të arkitektit danez Bjorke Ingles krah teatrit do të ketë gjashtë kulla të cilat do të ngrihen pjesërisht mbi tokë publike.
Por kjo nuk është pamja që Kryeministri Rama ka zgjedhur të shpërndajë në profilin e tij në Facebook, simbolikisht ai ka zgjedhur të hipë mbi kullë për të na treguar teatrin. Nëse projekti do të ishte tashmë i realizuar, Rama do të duhej të hipte mbi një nga gjashtë ndërtesat për ta shkrepur foton që mban në profilin e tij.
Teatri rritet në lartësi, por trualli publik do i jepet privatëve
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Rama tha: “nga 3000 metra katror rrënoja do të kemi 9000 metra katror teatër”. Por e vërteta është se teatri do të rritet në lartësi, duke zënë vetëm 3000 m2 truall. Pjesa tjetër, 4500 m2 hapësirë publike dhe 1200 m2 tokë private do të shpërbejë për ndërtimin e gjashtë kullave. Sipas një artikulli të publikuar dy javë më parë nga “Tpz.al” kulla e parë do të jetë me 10 kate, e dyta me 12, e treta me 14 e deri tek e 6-ta që shkon 22 kate.
Në fjalimin e transmetuar dje në ERTV, Rama tha se kompania private që do të ndërtojë Teatrin Kombëtar, nuk do e bëjë këtë gjë për bamirësi, por duke marrë të drejtën të ndërtojnë në hapësirën publike pas godinës së teatrit.
Sipas një përllogaritje të bërë nga “Tpz.al” firma private që do të ndërtojë teatrin përmes praktikës PPP do të nxjerrë fitime të majme. Në një sipërfaqe ndërtimi prej 5700 m2 (4500 m2 tokë publike + 1200 m2 private), hapësira e shfrytëzimit është 70%, pra, rreth 4000 m2. Nëse shumëzojmë katet e kullave, mesatarja 16, me sipërfaqen ku do të ndërtohet 4000 m2 (hapësira e shfrytëzimit), rezulton mbi 64 mijë m2 ndërtim në total. Nëse këto hapësira shiten me tregun aktual mund të gjenerojnë rreth 120 milionë euro të ardhura.
Aktori Robert Ndrenika kundër projektit: “Të mos nxitohemi me PPP”
Gjatë takimit të djeshëm në Kryeministri ku u bë prezantimi i projektit të Teatrit të ri Kombëtar, disa aktorë mes të cilëve dhe Robert Ndrenika ishin të pranishëm në sallë. Ndrenika kërkoi fjalën pas Kryeministrit por ky i fundit nuk e lejoi të filste pa u prezantuar projekti.
Ndrenika e mori fjalën pas prezantimi, e duhet thënë se reagimi i tij nuk u transmetua në ERTV, megjithaë median arritën të sigurojnë fjalimin e aktorit.
Sipas tij, qeveria do të duhet të heqë dorë nga skema e ndërtimit të Teatrit Kombëtar, përmes nismës PPP (Partneriteti-Publik-Privat). Shembull ai mori Maqedoninë, që siç nënvizoi Ndrenika, ka investuar 30 milionë euro për teatrin e vet.
Sa i përket projektit të prezantuar, ai tha se më parë do të donte ta shihte atë në maket, për të kuptuar skenën dhe xhepat e saj, që janë të rëndësishme për aktorët. Pasi për Ndrenikën, projekti është i bukur si kartolinë, por që i ngjan një xhungle urbane.
Video: Fjala e aktorit Robert Ndrenika
/l.k./