Kronikë nga rrugët e mundimshme të rijetëzimit të Gjirokastrës
Shkruan nga Gjirokastra Marinela Gremi
Qytetit të Gjirokastrës, duket se sot i është kthyer një lulëzim i dytë, pas atij në periudhën Otomane. Pas rënies së komunizmit, qyteti i gurtë filloi të braktisej sepse njerëzit ishin të varfër e nuk i mirëmbanin dot shtëpitë. Sot duket se banorët kanë filluar t’ia shohin të mirat sërish dhe shumë shtëpi po rijetëzohen.
Rrugët e pazarit gumëzhijnë nga numri i madh i turistëve që e vizitojnë Gjirokastrën në çdo stinë të vitit për vlerat e ndërtimit të shtëpive me gur e çative me dërrasa.
Turizmi në Gjirokastër ka filluar të marrë zhvillim që prej viteve ’90 por lënia pas dore nga ana e politikës shqiptare nuk e ka ndihmuar aspak. Kjo ka bërë që qyteti i përfshirë në listën e trashëgimisë botërore që prej 2005-ës, të kalojë periudha të vështira për shkak të rrënimit dhe mos rikonstruktimit të domosdoshëm të banesave.
Vitet e fundit, vetë qytetarët me ndihmën e organizatave të huaja, kanë marrë në dorë situatën. Por rruga për rijetëzimin e qytetit të gurtë ka kthesa të mundimshme e nuk është aspak e lehtë.
Disa shtëpi janë hapur për turistët në formën e hostelit, siç është edhe rasti i Shtëpisë së Babametove, një ndërtim mbresëlënës i shekullit të 18-të, që sot numëron mbi 60 trashëgimtarë të ligjshëm.
Gjithashtu artizanët, gurgdhendësit dhe mjeshtërit e çative, drugdhendësit e qytetit, kanë formuar “klanin” e tyre të quajtur “GjiroArt”, ndërsa disa qytetarë të tjerë kanë filluar të ofrojnë ture nëpër qytet për turistët.
Sadi Petrela, drejtor i fondacionit “Gjirokastra” që ka ngritur edhe një muze për të gjithë luginën e Drinosit Brenda Kalasë së Gjirokastrës, na pret në shtëpinë Babameto dhe na shpjegon procesin e vështirë të rikonstruktimit dhe më pas të rijetëzimit të shtëpisë.

Shtëpia e Babametove, lagjia e Kalasë, Gjirokastër
Së pari, u është dashur një kohë e gjatë për të bindur rreth 60 pronarët e familjes Babameto (pothuajse të gjithë të shpërndarë nëpër botë), për ta kthyer ndërtesën në një hostel. Gjithashtu, lënia në harresë për shumë kohë, e bënte rikonstruktimin e një objekti të mbrojtur të kategorisë së parë, siç është shtëpia e Babametove, shumë sfiduese.
“Pas rënies së sistemit komunist, shumica e banorëve atëherë të varfëruar, u detyruan të largoheshin nga zona muze. Shkuan të jetonin në lagjen e re të Gjirokastrës apo në qytete të tjera dhe shumë emigruan jashtë Shqipërisë, pasi mirëmbajtja e këtyre shtëpive ishte shumë e kushtueshme. Kur morëm përsipër të rijetëzonim shtëpinë e Babametove ajo kishte rreth 15 vjet në gjendje të braktisur”.
Ky objekt ku tashmë mund ti dallosh qartë dy krahët e veta që ishin dhe dy hapësirat e dy vëllezërve Babameto që e ndërtuan, ka qenë më herët shtëpi e bektashijve dhe në kohën otomane, ka qenë pjesë e teqesë së Gjirokastrës dhe ka patur funksionin e një shtëpie pritëse për udhëtarët. Më pas në periudhën e komunizmit një pjesë e familjes ka qenë e përkrahur nga sistemi dhe pjesa tjetër jo. Edhe sot, nisur nga kjo, njëra anë e shtëpisë është më e mirëmbajtur se tjetra.”
Petrela thotë se u zgjodh kjo shtëpi për të krijuar një model, që do t’i shërbente turizmit në Gjirokastër. Një model ku qytetarët, dikur të pasur, e më pas të varfëruar nga komunizmi, nëse kanë vullnet dhe mirëkuptim, mund të mirëmbajnë ndërtesa të tilla, pavarësisht se ky proces është i shtrenjtë. Në murët e shtëpisë mund të shikosh fotografi nga dita e përurimit pas restaurimit. Për disa prej trashëgimtarëve të Babametos të cilët kishin kaluar fëmijërinë në atë shtëpi, ajo ditë kishte qenë shumë prekëse.
Tjetër qendër e rëndësishme për turizmin në Gjirokastër, është “GjiroArt Centre”, një ambient që zhvillon dhe promovon artizanatin e Gjirokastrës.

Zonja Eli, artizane në qendrën GjiroArt
Znj. Lubjana Baoja, njëra nga themelueset e qendrës, thotë se është themeluar në vitin 2011 nga një bërthamë artizanësh, të cilët u bënë bashkë dhe vendosën të krijojnë një shoqatë, për të qenë më të organizuar. Është nisur vetëm me 10 gra artizane dhe sot shoqata numëron plot 40 persona.
Zonja Eli, njëra prej artizaneve më të vjetra në qendër, e cila merret me punimin me dorë të kostumeve popullore, thotë se GjiroArt e ka ndihmuar ta identifikojë si artizane të mirfilltë, e ka ndihmuar të jetë më afër me klientët dhe më e besueshme për ta.
Ndërsa drugdhendësi Anastas Petridhi thotë se ndihma e GjiroArt prej 5 vitesh, për të krijuar një shitore në zonën e pazarit, e ka rritur profesionalisht dhe e ka ndihmuar të krijojë një tjetër marrëdhënie me klientët. Anastasi mban me krenari një fotografi me ish ambasadorin amerikan John Withers që e quan mik të dyqanit.
Por kur vjen puna tek ndihmat jashtë Shoqatës GjiroArt, Anastasi thotë se paguan taksa si gjithë të tjerët, dhe nuk ka patur ndonjëherë lehtësime.

Anastas Petridhi, drugdhendës në GjiroArt
“Unë kam punuar edhe jashtë shtetit dhe këto zanate gjithandej subvencionohen dhe ndihmohen nga shteti. Ndërsa këtu nuk shohim asnjë ndihmë konkrete. Nuk them se nuk duhet të kem detyrime, por duhet të hyjmë edhe ne në programet e ruajtjes së trashëgimisë dhe subvencionimeve” – thotë Anastasi.
Qëllimi i qendrës është të prodhojë në bazë të traditës, në bazë të së vjetrës, por duke i ndërthurur këto me kërkesat e kohës.
Me gjithë ndihmën e organizatave, kryesisht të financuara nga donatorë të huaj, gjirokastritët ankohen se shteti shqiptar ka bërë shumë pak për Gjirokastrën.
Një gjë është e sigurt: Në rast se do duam që koncepti i rijetëzimit të qytetit të jetë i suksesshëm duhet që gjirokastritët të mos i lemë vetëm në pamundësinë e tyre apo në mundësitë e kufizuara. Sepse të mbështesësh rijetëzimin e Gjirokastrës sot do të thotë të mbështesësh jo vetëm ekonominë lokale por imazhin e gjithë vendit.