“Kril Creations”, krijimet me materiale të riciklueshme të nënës e bijës
Kur është koha për të bërë një dhuratë, të gjithë mendohemi dy herë. Nëse do të ishte më mirë kjo apo ajo.. Padyshim trend i kohëve të fundit janë jo vetëm dhuratat e shtrenjta por edhe të personalizuarat.
“Kril Creations” është një dyqan i veçantë në zonën e ish bllokut në Tiranë, që na e ofron këtë mundësi. Një rast kur marrëdhëniet nënë e bijë kthehen edhe në kolege pune.
“Krijimet e Kristinës dhe Ildës”, ka vetëm rreth një vit që ka nisur si biznes, por dëshira për të punuar me materiale të riciklueshme është e hershme. Ka filluar me shishe, kavanozë, produkte plastike të jetës së përditshme e deri tek rruazat, kopsat, lulet natyrale të thata etj.
Ilda Beçi, thotë për Historia Ime se nuk ka qenë qëllimi i saj për të krijuar një biznes, por më së shumti është një trashëgimi brezash për punimet me dorë.
- Kukull e krijuar nga materiale të ricikluara platsike dhe letre
- Shishe e dekoruar me degë lulesh të thara, e punuar me dorë.
- Kanoçe alumini e ricikluar dhe e dekoruar me dorë
“Nuk ka nisur si një ide e qartë që në fillim, kanë qenë ide që janë zhvilluar me kalimin e kohës. Që kur unë kam qenë e vogël, në shtëpinë tonë të gjithë janë marrë me punime dore, duke filluar nga stërgjyshi, gjyshi e deri tek mami. Ato kanë qenë nxitja fillestare, e më pas ka qenë edhe dëshira ime për të bërë dhurata të veçanta dhe jo këto standardet që ofrohen në treg. Gjithmonë iu shtoja ndonjë element të veçantë dhuratave kur isha më e vogël. Dhe le të them që ky biznes është një realizim i dëshirave të fëmijërisë.”
Dhuratat për ditëlindje e dasma janë kryesisht të preferuarat e klientëve thotë Ilda. Duke filluar që nga thëniet e personalizuara në kartolinat më të thjeshta, papiruse, albume fotografike, arkë kursimesh, objekte zbukuruese etj.
E pyetur se cila ka qenë puna më e vështirë e që i ka ngrënë më shumë kohë, Ilda thotë se ka qenë një album fotografik i personalizuar.
“Albumi përmbante plot 100 foto që duhej të ngjiteshin të gjitha një nga një, si dhe duhej krijuar historia e tyre. Fotot ishin të një periudhe 4-vjeçare të një çifti, të cilët i kishin bërë në periudha të ndryshme, në stinë të ndryshme dhe normalisht duhej të kishte një rrjedhshmëri të historisë. Ai punim më ka ngrënë plot 4 ditë të mira pune, por në fund doli diçka vërtet e veçantë”.
Kur vjen puna tek çmimet, Ilda thotë se ndoshta mund të ndryshojnë pak nga kartolinat apo dhuratat e tjera të gatshme, por gjithsesi ngelen të përballueshme nga kushdo. Çmimet variojnë nga 500 lekë deri në 3000 lekë të reja. Interesi gjithmonë e më shumë në rritje i klientëve, tregon se për dhuratë, çmimet nuk janë aspak të kripura sipas Ildës.
Dashuritë e para të adoleshencës, apo shoqëritë e ngushta mes shokëve e shoqeve të moshave 17 – 25 vjeç janë ato që kërkojnë gjithmonë e më shpesh t’i bëjnë dhurata të veçanta njeri – tjetrit.
Por cila është dhurata më e çuditshme që ka krijuar deri tani?
Nëse keni dashur ndonjëher të keni një libër të gjithin të dedikuar vetëm për ju, mos mendoni se nuk mund të ndodhë. Ilda thotë se realizimi i një libri ku shpjegohej e gjithë historia e dashurisë së një çifti, që nga momenti i njohjes, takimi i parë, party-t e gjithë vazhdimësia, ka qenë një nga kërkesat më të çuditshme por edhe më të bukura që ka realizuar.
Njihuni më shumë me Kril Creations
- Kanoçe alumini e ricikluar dhe e dekoruar me dorë
- Kuti për dhuratat e dasmës, e punuar me dorë
- Pako për dhurata të dekoruara me dorë
- Dhuratë e personalizuar
- Shishe dhe enë qelqi me dedikim të personalizuar, të dekoruara me dorë
- Libra të personalizuar me dedikime dhe foto
- Abazhur dhe vazo të dekoruara me dorë
- Shishe e dekoruar me degë lulesh të thara, e punuar me dorë.
- Kukull e krijuar nga materiale të ricikluara platsike dhe letre