Që nga viti 2007 në Shqipëri zhvillohen çdo vit javët e kulturës gjermano-shqiptare me emrin “Tetori Gjerman”.
Nën moton “Perspektiva: Evropa”, këtë vit aktivitetet do të zhvillohen në kushtet e reja të diktuara nga pandemia e Covid-19, kryesisht në ambjente të hapura duke respektuar rregullat e higjienës dhe në pjesën tjetër online.
Evropa është lajtmotivi i javëve kulturore shqiptaro-gjermane të këtij viti. Tema e sivjetshme lidhet jo vetëm me perspektivën e vendit tonë dhe shtimin e përpjekjeve për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por edhe me udhëheqjen e Presidencës së rradhës së Bashkimit Evropian nga Gjermania, një moment tjetër ku ritheksohet angazhimi i të dy palëve për integrimin sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë në BE.
Pjesë listës së gjatë të aktiviteteve të Tetorit Gjerman këtë vit do të jetë dhe Konferenca online e organizuar nga Pro-LGBT, ku do të prezantojmë gjetjet e raportit të rradhës së monitorimit të medias.
Pas një ekperience të suksesshme të vitit të shkuar, ku monitorimi i medias u fokusua te përfaqësimi gjinor në televizionet e mëdha, këtë vit vendosëm të bëjmë bashkë problemet gjinore, përfaqësimin e grave dhe gjuhën e urrejtjes dhe diskriminuese ndaj komuniteteve të margjinalizuara në televizion dhe portalet informative online.
Më datë 20 Tetor, organizata PRO LGBT do të prezantoj online gjetjet e “Monitorimit të Medias për vitin 2020”, i cili këtë vit u bë i mundur fal mbështetjes së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe Ambasadës së Gjermanisë në Tiranë.
Programi i larmishëm kulturor përfshin filma që do të shfaqen në qytete të ndryshme të vendit, evente artistike, konferenca e takime online, ekspozita dhe koncerte të vogla në ambjente të hapura.
Listën e plotë të eventeve, mund ta aksesoni në këtë lidhje ose duke shkarkuar aplikacionin Tetori Gjerman për pajisje Android dhe iOS.
Së shpejti, do publikojmë në faqen tonë në Facebook dhe eventin ku do keni mundësi të regjistroheni!
