Ia vlen t’i përgjigjesh Adelina Tahirit? Përgjigja e Vlora Krasniqit
VIDEO E PLOTE ME POSHTE/Teksti nga “Historia Ime”
Një deklaratë homofobe e këngëtares 23 vjecare Adelina Tahiri ka shkaktuar reagime të komunitetit LGBTI në Kosovë.
Këngëtares i është bërë nga emisioni “Prive” një pyetje absurde, madje një pyetje në kufijtë e injorancës.
E ka pyetur gazetari: “A je anti homoseksualëve?”. “Shumë!”, i përgjigjet kjo.
Vazhdon më tej me pyetjen gazetari: “A kishe mujt me nejt me një lesbike?”.
Vazhdon përgjigjet këngëtarja: “Ato të gjuajnë gjithsesi, kështuqë jo!”.
Skenari është shumë i njohur në Ballkan: dikush bën një pyetje që nuk është pyetje (sepse nuk mund të pyesësh pro apo kundër një pjese të popullsisë, mund të pyesësh pro apo kundër një nisme ligjore, një ideje, apo një reforme, një plani apo një veprimi, por nuk mund të pyesësh pro apo kundër një pjese të popullsisë që jeton mes nesh, punon mes nesh e dashuron këdo që ka qejf të dashurojë).
Përballë këtij gazetari që bën këtë pyetje thelbësisht injorante (të tipit dikush hedh një gur në lumë e të gjithë turren ta nxjerrin jashtë), qëndron një këngëtare që ka jo pak admirues në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri e përgjigjet: “Shumë!”.
Pa dashur të fyejmë asnjë gazetar, na duhet të sqarojmë se “skenari” në fjalë kërkon të shkaktojë polemika. E polemikat nuk informojnë, as edukojnë!
Megjithatë lajmi i mirë në këtë histori ka të bëjë me faktin se grupimet LGBTI në Kosovë nuk a kanë lënë të kalojë pa komente dhe po tentojnë që nga polemikë, ta shndërrojnë në debat të shëndetshëm.
Vlora Krasniqi, drejtoreshë e Qendrës Për Emancipim Shoqëror në Kosovë (Qesh) e më herët edhe Rajmonda Sylbie, drejtoreshë e Cel Kosova i kanë kthyer pergjigjen e merituar 23 vjecares Tahiri.
LEXO EDHE: Adelina Tahiri nxit reagime me deklaratat per lesbiket (Express)
E pyetur nga Prive (skenaret e kësaj natyre kërkojnë që polemika të vazhdojë sa më gjatë), Vlora, e qetë, dinjitoze dhe pa asnjë kompleks thotë:
“QESH ka marrë shumë ankesa prej anëtarëve të komunitetit LGBT në lidhje me emisionin në Prive ku janë bërë disa pyetje për një artiste që kanë krijuar hapësirë për paragjykime ndaj këtij komuniteti”.
Në emisionin “Prive” disa nga termat e përdorur janë të pasaktë, por gjithsesi ushqejnë të njëjtin skenar në të tilla raste: stimulimin e polemikave dhe krijimin e “llogoreve” të paqenë. “Adelina Tahiri në luftë me komunitetin LGBT?” – është titulli i kronikës televizive.
Kjo e fundit, si ndoshta asnjëherë tjetër më parë detyrohet të flasë dhe për cështje të tjera, si puna e fesë apo cështje të natyrës, etj. Sa më shumë flet, aq më shumë ngatërrohet në paragjykimet e veta.
“Nuk i urrej”, thotë, “por kjo është e vetmja mënyrë si ne shumohemi (dmth mashkull-femër)”.
Skenari polemizues ia ka arritur qëllimit të vet në këtë rast: e ka shtyrë një artiste të shkojë përtej limitit të saj dhe të sjellë në ndihmë referenca të bukura për ndonjë dokumentar me natyrë biologjike.
Por, Vlora Krasniqi përpiqet të mbajë lart standartin në këtë debat (të papritur duhet thëne).
Thotë Vlora:
“Në këtë rast artistët, këngëtaret, këngëtarët, shumë shpesh mund të krijojnë një opinion publik dhe deri diku fansat e artistes në Kosovë mund të ndikohen lehtësisht nga deklarata të tilla, ndaj duhet me pas shumë kujdes në deklarata të tilla”.
E thënë troc: Secili ka të drejtë të ketë e të shprehë mendimin e vet mirëpo kur jeton një jetë publike përvec asaj private dhe kur konsiderohesh edhe si një rol modelues nga ata që të ndjekin në jetën publike, nuk mund të nxjerrësh nga goja paragjykime që mund të lëndojnë shumë njerëz.
“Fytyrat publike duhet të kenë kujdes me deklaratat që bëjnë”, shton drejtoresha e QESH, “sidomos për grupet e diskriminuara sepse mund të nxisin më shumë urrejtjen apo diskriminimin ndaj grupeve të ndryshme, e në këtë rast ndaj komunitetit LGBT”.
Thua ta ketë kuptuar këtë 23 vjecarja Tahiri e cila pohon edhe se ka miq pjesëtarë të LGBT?
Apo më tej akoma, si do të reagonte ajo nëse fëmija i saj mund të jetë pjesë e këtij komuniteti?
“E kam menduar”, thotë, “e s’mundesh me i ba kurrgja!”.
http://https://www.youtube.com/watch?v=EjXdlmCjQsk&t=258