Historia e kinema “Pogradecit” përmes afisheve të Thomaqit
Nga Lorin Kadiu
Ai rrinte ulur në kafenenë pranë kinemasë, në pritje për t’i treguar dikujt ekspozitën, çelësat e të cilës i mbante gjithmonë në xhepin e xhaketës. Pasionin e një jete të tërë kushtuar filmit dhe kinemasë e kurorëzoi me një ekspozitë të organizuar nga Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë me kurator Anastas Kostandinin. Aty u ekspozuan posterat e filmave të huaj, nga periudha e viteve 50 – 60 – 70, të shfaqura në kinema “Pojska” (sot kinema Pogradeci) e të ruajtura me fanatizëm nga Thomaq Angjeli.
Thomaqi, sot 80 vjeç, tregon se me botën e kinematografisë u njoh në vitin 1951, kur transferohet nga Pogradeci në Tiranë për në Teknikumin e Ndërtimit, që ndodhej pranë Kinostudios.
“Në atë kohë xhirohej filmi ‘Skënderbeu’ dhe shkoja gjithmonë në Kinostudio se më pëlqente të shihja xhirimet. Aty u takova me Haki Oravën, ai që luante rolin e Skënderbeut, u miqësuam e ndenja gjashtë muaj me të, bisedonim gjithmonë e më tregonte për filmat, ishte njeri i shkëlqyer.”
Pasi ndoqi Liceun Artistik për skulpturë në Tiranë, Thomaqi tregon se si i lindi pasioni për posterat e filmave, kur e emëruan përgjegjës në Kinema “Pojska” në Pogradec.
“Në atë kohë më filloi një pasion i madh sepse vinin afishe nga gjithë shtetet socialiste, Rumani, Poloni, Hungari, Çeki, Rusi. Unë afishoja filmat që vinin prej andej, dhe më pas i ruaja këto afishe.”
Pasionin e tij e ka vazhduar dhe pas largimit nga puna në kinema. Ai tregon se shkonte çdo vit në Tiranë e në Korçë kur organizoheshin festivalet e filmit. Thomaqi kujton mosmarrëveshjet me punonjësit e Kinostudios, kur merrej urdhri për të censuruar filmat.
“Në kinema kam punuar 2-3 vjet, e kam patur pasion, më shumë rrija unë në kinema se punonjësit. Ndonjëherë ziheshim me ata të Kinostudios, sepse vinin dhe aktorët e huaj të filmave për t’i parë, por ata duhet të prisnin filmin se mund të kishte pjese me seks që nuk lejoheshin. Unë i thoja që aktori nuk duhet ta shohë filmin e tij të prerë . Mirë, më thonin, do e vëmë të paprerë ta shohin ata e më pas do e presim. “
Në ekspozitë Thomaqi ka sjellë edhe disa katalogë të vjetër, që i ka krijuar duke prerë fotografi nga revistat e huaja e më pas i ka fshehur e ruajtur me fanatizëm.
“Katalogët i kam bërë duke prerë fotografi nga revistat që më vinin. Isha abonuar, kisha korespondencë me sekretaren e revistës “Film” që shiste revista për jashtë shtetit, e ndihmoja vazhdimisht dhe më dërgonte revista dhe filma.”
Thomaqi na tregon se në arkivën e tij me rreth 400 bobina, kaseta e disqe ka edhe filma perëndimorë.
“Që nga viti 1952 der në ‘68 qarkullonin filma francezë, amerikanë, meksikanë, japonezë. Pas viteve ‘60 u ndaluan revistat dhe filmat, ato që ishin qarkullonin, por nuk vinin më të reja”.
“Më vonë fillova ti fsheh, kanë ardhur disa herë por nuk mi kanë prekur. Në atë kohë punoja në Ministrinë e Mbrojtjes dhe nuk më trazonin. Edhe vet ministri ishte merakli pas filmave, më jepte revista ndonjëherë, unë i prisja e bëja katalogë”.
Kur e pyes për ndonjë kartolinë ose poster që e ka më të veçantë apo ndonjë episod nga jeta e tij mbi filmat dhe aktorët Thomaq Angjeli tregon për takimin e tij me Maria Kovalevën, aktore që ka luajtur në mbi 40 filma rust ë kohës.
“Ajo erdhi për festivalin e filmit rus në kinemanë “17 Nëntori” në Tiranë. Kur e takova i dhashë një kartolinë që e kisha krijuar vetë për të ma firmosur, ajo u trullos e më tha se nuk kishte parë kurrë kartolina të tilla të saj. Më vonë më dërgoi një fotografi nga Moska, ishte aktore e madhe dhe ishte aq njeri i thjeshtë.”
Thomaqi tregon me keqardhje se nëse i ofron dikush para, është gati ti shesë posterat:
“Po të më japin ndonjë para le ti marrin, se kam edhe filmat, na duhen para se jemi keq”.
Duke zbritur, më tregon rreth dëshirës për të hapur një tjetër ekspozitë, kësaj rradhe me filmat e perëndimit, pasi në arkivën e tij ka postera e katalogë të vjetër të aktorëve perëndimorë.
FOTOGALERI NGA EKSPOZITA