Ditën e hënë është hapur zyrtarisht Java Kundër Diskriminimit.
Kjo javë është hapur me 2 ekspozita, ekspozitën “Eyes” të artistit të ri Dario Haruni dhe “Fade into you” nga Alessandro Inches.
Ekspozita është hapur në ambientet e Komisionerit për Mbrojtjen e Diskriminimit, ndërsa në këtë ekspozitë morën pjesë Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ambasadorja e Hollandës në Shqipëri Guusje Korthals Altes , anëtarë të oranizatave LGBTI në vendin tonë, dhe qytetarë të interesuar.
Qëllimi kryesor i kësaj ekspozite është përcjellja e mesazhit se të gjithë njerëzit janë të ndryshëm në mënyrën se si mendojnë, imagjinojnë e si e perceptojnë botën.
Ekspozita Eyes ka si objektiv t’i tregojë shoqërisë se diversiteti në të menduar, perceptuar dhe shprehur duhet festuar dhe jo paragjykuar njëri-tjetrin.
Nga ana tjetër Fade into you është një projekt fotografik mbi nevojën për të fshirë personalitetet tona, në mënyrë që të mbijetojmë në shoqëri.
Anëtarë të komunitetit LGBTI, i kanë rrëfyer ëndërrat e tyre tek Dario Haruni, ndërsa ai, ëndërrat i ka kthyer në art visual.
Ambasadorja e Hollandës gjatë fjalës së saj në këtë ekspozitë tha ndër të tjera: “Hollanda është shumë e interesuar për të Drejtat e Njeriut, në neni 1, të kushtetutës së Hollandës shkruhet se të gjithë njerëzit janë të barabartë. Ne kemi vënë në qendër artin, për të sfiduar të gjithë ata që mendojnë ndryshe. Kjo ekspozitë tregon qartë se edhe ju ëndërroni”.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda është shprehur në hapje të ekspozitës, por edhe të Javës kundër Diskriminimit, se: “ Kjo nuk është një ditë feste, është një ditë proteste. Kërkimi i të drejtave është një protestë e përditshme”.
Nga ana e tij artisti Haruni, tha ndër të tjera: Ky është një eksperiment që do të vazhdojë, zytë janë drita e shpirtit të njeriut. Në përfundim të kësaj ekspozite, zbulova se nuk ka asnjë ndryshim në mendjet e njerëzve, të gjithë njerëzit ëndërrojnë njëlloj”.
Ekspozita Eyes, e cila do të qëndrojë e hapur deri në datën 7 shkurt në ambjentet e zyrës së KMD, synon të materializojë në formën e arteve vizuale mendimet e pjestarëve të komunitetit LGBTI.
Ekspozita është financuar nga projekti Pride in Albania, financuar nga IREX Europe dhe Bashkimi Evropian, i cili implementohet nga PRO LGBT dhe Aleanca Lgbt në Shqipëri.