Foto-Reportazh/ Panairi i 20-të i librit në sytë e të moshuarve
Ndër frekuentuesit më të rregullt në stendat e Panairit të Librit në Tiranë janë të moshuarit. Gjatë një vizite në panair shumë prej tyre bisedojnë më botuesit dhe shfletojnë libra të ndryshëm. Të rritur me kulturën e librit tradicional ata ndanë me Historia Ime, përshtypjet mbi kulturën e leximit dhe vlerësime mbi interesin e brezave të rinj për librin.
Më poshtë gjenden disa prej këtyre përshtypjeve:
“Besoj se (të rinjtë) nuk kanë ndonjë interes për librin, një përshtypje e përgjithshme kështu është. Kur dëgjon të rinjtë të flasin sot në televizion e kupton informacionin e sipërfaqshëm që ata kanë sesa kulturën e librit’’.
“Tani zhvillimi i botës është më teknologji dhe me kompjutera, por mendoj se të rinjtë duhet të lexojnë më shumë libra. Rinia nuk lexon më sa kemi lexuar ne të vjetrit. Vërtet ne u rritëm në kohën e diktaturës, po kishim etje për dijen”.
“Edhe shkrimi i të rinjve tani nuk është bukurshkrim siç bënim ne atëherë. Po të marrësh dikë që ka punuar në një byro a në një zyrë në kohën tonë, e lexon shumë bukur. Tani edhe ata që mbarojnë doktoraturë nuk kanë shkrim të rregull”.
Fotogaleri: Panairi i 20-të i librit në sytë e të moshuarve
Mes të moshuarve të intervistuar, hasëm edhe një autor të librave për fëmijë dhe një poete, të cilët ndanë me Historia Ime përshtypjet e tyre mbi panairin dhe kulturën e leximit.
“Jam shkrimtar për fëmijë dhe kryesisht e dua letërsinë për fëmijë. Ky panair më pëlqen, arrita të takoj disa shok të mi poet. Më pak lexojnë të rinjtë. Brezi ynë ka lexuar më shumë dhe vazhdojmë të lexjmë më shumë’’, tha Gjon Gjergjaj.
“Unë quhem Gjyste Dajlani dhe jam poete e re, pavarësisht moshës sime. Kam botuar 6 libra portë them të drejtën koha jonë ka ikur pasi nuk lexon më njeri libra. Po jetojmë në moshën e internetit dhe librat nuk i blen më asnjeri, si konkluzion nuk lexon më njeri’’.
Edhe këtë vit në stendat e shtëpive botuese ekspozuan botimet më të reja për lexuesit. Disa prej punonjësve në këto stenda ndane me Historia Ime përshtypjet dhe pritshmëritë për panairin e 20-të të librit.
Ky panair do të qëndrojë i hapur nga datat 15-19 nëntor për të gjithë dashamirësit e librit.
/k.m/