Ishte viti 2001, kur u organizua parada e parë e cila përfundoi tragjikisht për komunitetin LGBTI+ në Serbi, mirëpo as intensiviteti i dhunës së ushtruar ndër vite nuk e ndali përpjekjen e tyre për të qenë të pranishëm dhe të dukshëm në manifestime dhe nisma ligjore, deri në normalizimin e frymës së tolerancës në vitin 2014 e tutje.
Kështu, fundjava e kaluar shënoi paradën e 18-të të komunitetit LGBTI+ në Beograd, ku gjithçka ishte e mirëorganozuar dhe nën kujdesin e forcave policore përgjatë gjithë marshimit.
Sakaq, paradës i parapriu një javë e ngjeshur aktivitetesh me aktivistë nga rajoni, ku pati konferenca, festivale, shfaqje teatrale dhe festa të tjera, të cilat përveç angazhimit dhe edukimit të aktivistëve të rinj nëpërmjet përmbajtjes së tyre, bënë të mundur që mbrëmjeve të gjitha grupet të kishin mundësi zgjedhjeje të aktivitetit të tyre të preferuar për t’u socializuar dhe argëtuar. Në javën e paradës, pati të ftuar edhe një delegacion aktivistësh nga Tirana, të cilët morën pjesë në konferencë duke prezantuar gjendjen e përgjithshme dhe progresin e komunitetit LGBTI+ në Shqipëri.
Ndërsa, mëngjesin e 15 shtatorit qyteti ishte “mobilizuar” për të pritur paradën e komunitetit LGBTI+. Akset kryesore të rugëve të qytetit ishin zbrazur nga makinat dhe forcat policore gjendeshin në gatishmëri për të monitoruar paraprakisht qetësinë dhe sigurinë organizative të paradës. U duk se itenerari i paradës ishte bërë publik ditë më parë, pasi në asnjë moment nuk pati ngarkesë në qarkullimin rrugor të akseve ndërqytetase ku qarkullimi vazhdonte normalisht.
Çka nuk shpëtoi pa tërhequr vëmendjen, ishte se një grupim kishtar kishte dalë në “anti-paradë”, të cilët ndonëse tepër të paktë në numër, manifestuan thuajse përgjatë gjithë ditës në një kryqëzim qendror të qytetit. Megjithatë, në asnjë moment nuk u duk se pati përpjekje për ta përshkallëzuar qëndrimin e tyre solemn me muzike kishtare, qirinj dhe portrete të shentjtëve të krishterë.
Ndërkohë, mes ritmeve të gëzueshme të muzikës, ngjyrave dhe portreteve të qeshura të qindra pjesmarrësve, nisi Parada e Krenarisë 2019 në Beograd. Marshimi ishte përcaktuar në orën 17.00 dhe nisi pas fjalimeve hapëse të rastit për eventin madhështor të dedikuar rritjes së ndërgjegjshmërisë mbi tolerancën dhe dashurine e komunitetit LGBTI+. Kordoni i gjatë marshues, kaloi në rrugët kryesore përballë institucioneve më të rëndësishme në vend, duke zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta. Paraprinte një kamion i madh i hapur, i cili shpërndau muzike nëpër të gjithë qytetin teksa drejtonte dhe itenerarin marshues, në të pati performanca “Drag Queen” që shoqëruan shumicën marshuese deri në parkun qendror të qytetit, ku pati një festival me këngëtrët më të pëlqyer të momentit në Serbi.
Për herë të parë në një aktivitet të këtij lloji, midis këngëtarëve mbështetës të komunitetit LGBTI+ në vend, performuan dy Drag Queen nga Kosova. Në performancën e tyre, ato kishin përfshirë dhë këngë në shqip, ritmet e së cilës u kërcyen nga të gjithë pjesëmarrësit në festivalin post-paradë.
Si më poshtë kolazhi i fotove përgatitur nga Loreta Cuka.
