Foto: Cirku kombëtar në kërkim të çadrës
Këto foto të publikuara nga “Skena e Pavarur Kulturore” tregojnë gjendjen aktuale të Cirkut Kombëtar. Vendi ku prej dekadash fëmijë e të rritur kanë hyrë për të ndjekur shfaqet e cirkut, u hap me forcë dy ditë me parë nga përmbarimi.
Fotogaleri: Përmbaruesit hyjnë me forcë në ambientet e Cirkut Kombëtar/ Foto: Skena e Pavarur Kulturore
Përmbaruesit kanë një vendim gjykate të formës së prerë i cili ia kalon truallin prej 409 metra katrorë një pronari privat. Artistët janë përplasur edhe më parë me përmbaruesit, duke mos lejuar prishjen e tendës së cirkut pa gjetur një vend tjetër ku do të zhvendoset.
Edhe pse kanë kaluar vite që kur është marrë urdhëri ekzekutiv nga gjykata, institucionet përgjegjëse ende nuk kanë mundur të gjejnë një vend të përshtatshëm për tendën e Cirkut Kombëtar. Përmbaruesit u kthyen sërish, në një kohë kur artistët kanë marrë lejen vjetore “hedhësh derën e cirkut në korrik në një kohë kur askush nuk mund ta mbrojë, është një akt i padrejtë” ka thënë një prej artistëve për Vizion Plus.
Fotogaleri: Përmbaruesit shkatërrojnë çadrën e cirkut në kundërshtim me ligjin, pa praninë e ekspertëve dhe pa raport teknik/ Foto: Skena e Pavarur Kulturore
Çadra e Cirkut Kombëtar është e vendosur në një hapësirë prej rreth 1200 metrash katrorë në afërsi të qendrës së Tiranës. Një e treta e kësaj hapësire, është njohur nga gjyakta si pronë private e biznesmenit Astrit Velia.
Cirku Kombëtar është një institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës, e cila prej thuajse 3 vitesh është në dijeni të kësaj situate, por ende nuk ka asnjë plan konkret se ku do të vendoset cirku.
/l.k./