“Festivali i Luleve”, nisma për të rigjallëruar qytetin e Përmetit
Qyteti i vogël i Përmetit, ka pritur këtë fundjavë “Festivalin e Luleve”, festivali i parë i këtij lloji.
Prej shume vitesh, qyteti i Përmetit është hasur me largime masive të njerëzve dhe lënien në harresë të tij. Duket sikur jo vetëm qytetarët por edhe qeveritë njëra pas tjetrës e kanë harruar “qytetin e luleve”. Rruga që të çon për atje, përveç pamjeve të mrekullueshme të grykës së Këlcyrës, nuk të ofron asgjë tjetër.
Edhe emri i tij, “qyteti i luleve” dalëngadalë ka filluar të zbehet, qyteti duket i heshtur e pa jetë. Për të rimëkëmbur këtë pamje të Përmetit, është menduar fillimi i një tradite të re, festivali i përvitshëm i luleve.
Joreld Dhamo, një prej organizatorëve të aktivitetit, na thotë se kjo është një ide fituese e projektit të kryeministrisë “Ëndrra Ime”.
“Ky projekt ka dalë i gjashti dhe mendoj që është mbështetur si ide pasi ka një identitet dhe të kthen në origjinë. Mund të them se patëm një mbështetje të mirë si nga ana e institucioneve publike po ashtu edhe nga biznese private që na ndihmuan me pjesëmarrjen e tyre në aktivitet”.

Cmimi për oborrin më të bukur iu dha zonjës Donika Kreci
Aktivitetet në festën e luleve ishin të shumta, pati leksione të hapura nga floristi Luan Ahmetaj për punonjësit e gjelbërimit dhe zonjat e qytetit për të marrë këshilla mbi këtë fushë, u dhuruan lule për disa nga institucionet e qytetit, spitalin, bashkinë si dhe njerzve të ndryshëm. Gjithashtu u ndanë edhe çmime për “Oborrin më të bukur” në qytet duke nxitur kështu zonjat përmetare të përgatisin lulet e tyre edhe për vitet e ardhshme.
Ndonëse në program shkruhej se aktiviteti do të zgjaste dy ditë, ditën e dielë, pjesëmarrja ishte e ulët dhe stendat u zhvendosën shumë më shpejt. Pavarësisht kësaj, Joreldi na thotë se pritshmëritë e tij ishin realizuar.
“Unë dëshiroja që gjithçka të shkonte mirë dhe shkoi goxha mirë. Pasi dihet që ishte viti i parë dhe do të kishte vështirësitë e tijë, por si ne ashtu dhe bizneset e luleve të pranishme, jemi mjaft të kënaqur me pjesëmarrjen e banorëve të qytetit”.
Ky ishte një fillim i mirë, por le të shpresojmë që vitet e ardhshme ta gjejnë Përmetin me një aktivitet më të konsoliduar dhe të përfaqësojë siç duhet emrin e tij. /Marinela Gremi
- Bizneset private që merrnin pjesë në panair dhuruan lule për Bashkinë Përmet, spitalin dhe banorët
- Qytetarë të Përmetit pasi kanë blerë lule në panair
- Festivali i Luleve në Permet
- Festivali i luleve në Përmet, 25-26 korrik
- Në festival u promovuan produktet agroturistike të nismës “Pro Përmeti”, projekt i mbështetur nga fondacioni italian “Cesvi”
- Cmimi për oborrin më të bukur iu dha zonjës Donika Kreci
- Të rinj me bicikleta nga EcoVolis për festivalin e luleve në Përmet
- Takime të hapura me zonja të qytetit mbi kopshtarinë dhe lulet