Ditën e djeshme, në ambjentet e Europe House në Tiranë u çel ekspozita TransBalkan, një event që shënoi njëkohësisht dhe hapjen e punimeve të Konferencës Vjetore ERA të aktivistëve LGBTI+ nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe Turqia.
Ekspozita TransBalkan me autor Aleksandar Crnogorac, e cila do të qëndrojë e hapur gjatë 3 ditëve në vijim, vjen si një dokumentim i aspekteve të ndryshme të eksperiencës njerëzore, me fokus kryesor komunitetin transgjinor dhe pjesëtarët e tij në Ballkan.
Ekspozita ka udhëtuar nëpër të gjithë cepat e gadishullit Ballkanik për të takuar, intervistuar dhe fotografuar më shumë se 60 persona nga vende, besime, kultura dhe mbi të gjitha eksperienca të ndryshme tranzicioni.
Duke u përqëndruar në aspektin personal të eksperiencave të këtyre individëve, ekspozita Trans Balkan e fton audiencën të njihet nga afër me persona transgjinorë që jetojnë në rajonin tonë dhe në këtë mënyrë të ndërgjegjësohen mbi vështirësitë dhe realitetin që ata përjetojnë në vendet e tyre.
Për të përshëndetur ekspozitën dhe hapjen e punimeve të Konferencës, një numër personalitetesh publike mbajtën fjalimet e tyre duke theksuar edhe një herë rëndësinë që respektimi i të drejtave të komunitetit LGBTI+ ka për rajonin e Ballkanit, rrugën e tij me afrimin pranë familjes së madhe evropiane dhe krijimin e urave të bashkëpunimit, për të cilat ERA mund të na shërbejë si shembull kryesor frymëzimi.
Gjatë fjalimeve të tyre, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori i Gjermanisë, Avokatja e Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Holandës, si dhe drejtuesit e RYCO dhe Western Balkans Fund, përshëndetën punën e organizatave pjesë e ERA (Equal Rights Association) në të gjithë rajonin dhe vendosën theksin te sfidat e pjesëtarëve LGBTI dhe aktivistëve që mbrojnë dhe lobojnë për kauzën e tyre dhe kauzën tonë të përbashkët.
Dhjetëra aktivistë do të bëhen bashkë më datat 8 dhe 9 Nëntor për të bashkërenduar në vijim punën e tyre për ndryshimin e mendjeve dhe zemrave të qytetarëve të vendeve tona dhe për të diskutuar sfidat dhe problemet kryesore me të cilat ato ndeshen në punën e tyre të vazhdueshme.
Konferenca do të shoqërohet dhe me evente dhe ngjarje të tjera kulturore e jo vetëm, si shfaqjen e filmave pjesë e Queer Film Days Albania, shfaqjen e filmave me metrazh të shkurtër të krijuar nga projekti i mini-granteve i administruar nga Aleanca LGBT dhe PRO LGBT, sesione dhe workshope të udhëhequra nga vetë aktivistët e rajonit si dhe takime me prindër të personave LGBT+ që do të sjellin në Tiranë eksperiencat e tyre dhe historitë e tyre personale, së bashku me ato të dhjetërave aktivistëve pjesëmarrës në konferencë.