“Queer Cinema for Palestine” është një ndër festivalet më të reja dhe ndër të rrallat e kësaj kauze në botë.
Iniciuar si kundërpërgjigje e TLV Festival- festival ky i financuar nga Qeveria e Izraelit, “Queer Cinema for Palestine” synon informimin e botës mbi “pink-washing” që shteti izraelit po bën duke përdorur komunitetin LGBTIQ+. Festivali i filmit queer në Tel Aviv është duke u sabotuar nga qindra aktivistë e artistë nga mbarë bota, të cilët më pas iu bashkuan festivalit “Queer Cinema for Palestine”.
Sipas tyre, shteti izraelit po përdor promovimin e vendit të vet si një vend përparimtar dhe miqësor për personat LGBTIQ+ për të fshehur dhe larguar vëmendjen nga aparteidi ushtarak ndaj Palestinës. Si rrjedhojë, aktivistë e artistë nga mbarë bota u bashkuan për të krijuar një festival paralelisht me festivalin në Tel Aviv të Izraelit.
Qëllimi kryesor i këtij festivali është të përçojë mesazhin e solidaritetit dhe paqes. Po ashtu, ata synojnë krijimin e hapësirës për artistët, në mënyrë që ata të mund të krijojnë vepra arti dhe ta përdorin artin për ndryshime shoqërore.
Festivali do të organizohet për 10 ditë me rradhë në vende të ndryshme të botës, përfshirë: Seul, Bilbao, Tunis, Bejrut, Belfast, Prishtinë, Paris, Montreal, Torino, Sofje, Londër dhe Ontario. Në secilin vend, festivali do të zbarkojë për vetëm një ditë, me programe të ndryshme.
Këtë festival mjaft të rëndësishëm në Ballkan e solli platforma LGBTIQ+, Dylberizm, nën moton “Dylberat për Palestinën”. Prishtina, falë Dylberizm, do të jetë mikpritëse e një festivali me përmasa botërore.
Më 11 nëntor, Queer Cinema for Palestina do të zbarkojë në Prishtinë me një program shumë divers, i mbushur me filma, diskutime, poezi dhe performanca drag. Programin për ditën e festivalit QCP në Prishtinë e gjeni këtu:https://queercinemaforpalestine.org/2021/10/31/prishtina/
“Programi në Prishtinë i kuruar nga Dylberizm, do të jetë një ngjarje e poezisë slam, performancës drag dhe përzgjedhjes së filmave të shkurtër ndërkombëtarë që do të angazhojë dylberat nga Kosova në një diskutim rreth të kuptuarit të ndërthurrjes dhe çfarë do të thotë të jesh i shtypur në bazë të identitetit.
Me performancë të poezisë slam nga Agon Rexhepi, dhe nga Vera Vendetta, performuesja shqiptare drag nga Shkupi.
“Queer Cinema for Palestine” do të mbahet në Kino Armata, me fillim nga ora 19:00 më 11.11.2021. /Agon Rexhepi