“Nga çfarë diagnoze vuaj?”, – pyet. “Diagnozë e çuditshme, ai dashuron një djalë”.
Ky është vetëm një pasazh i shkëputur nga monodrama “Bosh” me regji të Klaudia Pirolit, e cila po organizohet nga Aleanca LGBT dhe që do të vendoset në skenë me datë 14-15-16-17 maj, në mjediset e qendrës kulturore “Tulla” në Tiranë. Në qendër të skenës qëndron personazhi kryesor, i mbyllur në një dhomë psikiatrie.
Ai është një djalë që dashuron një djalë, i cili vetëm një herë në jetë arriti të përjetonte një grimcë lumturie. Personazhi i monodramës “Bosh” jeton i mbyllur në çmendinë me kujtimin e puthjes së parë, ku “zemra e tij desh u çmend”, para se edhe vetë shoqëria ta quante të çmendur.
“Ai është shumë i lidhur me të kaluarën dhe te ajo e kaluara ka vetëm një kujtim, një dashuri. Atij i kemi mohuar të drejtën të jetojë, e kemi lënë aty dhe e kemi lënë vetëm me një përjetim”, rrëfen regjisorja Piroli.

Në skenë qëndron lakuriq personazhi kryesor bashkë me një govatë me ujë të qelbur, që mban erë të keqe, si simbolikë e një shoqërie në stanjacion, që refuzon të zhvillohet dhe të pranojë.
Kjo monodramë, shpjegon regjisorja Piroli, shkon për të gjithë ata që shoqëria i konsideron ndryshe dhe i shënjon me refuzim, mëvetësim e madje i quan të çmendur vetëm sepse ekzistenca e tyre nuk ecën paralel me kornizën e ngushtë shoqërore të asaj çfarë konsiderohet “normale”.
“Kjo monodramë i përket atij njeriu që është i lodhur nga ky realitet, ama bën një përpjekje që të pranohet. I përket atij fëmije që ka humb komunikimin me familjen, i përket familjeve tona që nuk gjejnë asnjëherë një rrugë komunikimi me fëmijën e vet dhe i përket kujtdo prej nesh që shpesh herë përplaset dhe ndodhet përballë paragjykimit të vazhdueshëm”, thotë Piroli.
I mbyllur në një dhomë psikiatrie prej familjes së vet, personazhi kryesor shfaqet në gjendje emocionale të ndryshme, herë në refuzim të vetvetes me shpresë se ata do ta pranojnë, e herë pranues ndaj orientimit të tij seksual.
“’Unë po shërohem pak nga pak dhe do të vij aty te ju”. Pastaj ka një moment tjetër: “Jo thotë, unë nuk jam i sëmurë, unë i urrej njerëzit në këtë qytet. I urrej prindërit e mij, pak nga pak po filloj të urrej dhe veten’”.
Personazhi nuk ka një emër, nuk ka një origjinë, sepse sipas regjisores, ai mund të jetë secili prej nesh që nuk ka vend në rolet dhe pritshmëritë gjinore.
I gjendur i mbyllur në psikiatri, personazhi kryesor e sheh shpëtimin të pranimi.

“Ai sërish thotë “Kam nevojë që dikush të vijë, të më marrë edhe të më hedhë diku”. Më hidhni thotë, në qoshen më të shkretë të botës. Ai shpëtimin e shikon sërish te tjetri, te pranimi”, shprehet më tej Klaudia Piroli.
Mospranimi i shoqërisë, thekson regjisorja e monodramës, e ka kthyer botën në një çmendinë gjigande për personazhin. Ajo përfundon fjalën e saj me thirrjen për të mos e kthyer ekzistencën në një ferr për ata me të cilët nuk gjejmë të përbashkëta.
“Kishte disa momente që unë ndjehesha në faj pse ai ishte aty. Të gjithë prej nesh, kur të vijmë ta shohim, të ndjehemi në faj se çfarë i bëjmë njëri-tjetrit. Sartri ka një shprehje “Ferri janë të tjerët”. Kështu që le të mos jemi ferr i njëri-tjetrit”, përmbyll Klaudia Piroli për Historia Ime.
“Bosh” është pjesë e aktiviteteve kulturore të dedikuara për Javën e Krenarisë, e cila feston diversitetin e shoqërisë dhe kulmon me 17 Majin, Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë.
#përDashni #Idahot2021
Kjo shfaqje është realizuar me mbështetjen e SOGI Unit të Këshillit të Evropës.