Çmimet kombëtare letrare 2013
Të martën në datën 9 dhjetor ora 11.30 në hollin kryesor te Ministrisë së Kulturës do të mbahet ceremonia e dhënies së çmimeve letrare për vitin që shkoi. Pas një viti të mirë të zbatimit të politikave të Ministrisë së Kulturës në përkrahje të kulturës së librit dhe të përkthimit, të cilët janë mbështetur fuqishëm me projekte konkrete, vijnë natyrshëm në këtë fund viti vlerësimet e krijimtarisë dhe përkthimit më të mirë.
ÇMIMET
Dy janë çmimet e shpallura nga Ministria e kulturës për vitin 2013 :
1.Çmimi I ‘Veprës më të mirë letrare për vitin 2013’ me vlerën 500 000 Lekë
2.Çmimi i ‘Veprës më të mirë të përkthyer për vitin 2013’ me vlerë 300 000 Lekë
JURIA e përbërë nga Brikena Çabej, Saverina Pasho, Rita Petro, Ridvan Dibra, Ben Andoni, emra të njohur të botës akademike, të botimeve, të gazetarisë dhe të botës së përkthimit, e ka nisur procesin e shqyrtimit të veprave që në fillim të muajit qershor të vitit 2014. Janë lexuar dhe është debatuar në juri për të gjitha zhanret letrare në fokus – tregimi, romani, poezia, novela, sikundër edhe prurjet më të rëndësishme në përkthimin letrar.
VEPRA LETRARE NË NJË VIT
Afro 450 vepra ne prozë dhe poezi si dhe vepra të përkthyera në prozë dhe poezi janë veprat e vitit 2013 të shqyrtuara nga juria. Ministria e Kulturës beson se ka një detyrë dhe mision për të dhënë kontributin e saj në nxitjen por edhe vlerësimin e vet të përvitshëm të arritjeve më të rëndësishme letrare dhe përkthimore në vend. Mekanizmi i çmimeve letrare mbetet një nxitës dhe vlerësues i pamohueshëm, për më tepër në një vend si yni ku tregu i librit është modest krahasimisht me atë të vendeve të tjera evropiane dhe nga ana tjetër, ende shkëmbimet letrare me këto vende duhen të intensifikohen në dobi të cilësisë artistike dhe bashkëkohësisë së të menduarit artistik.
Përveç çmimit të madh letrar, i cili u bë me dije që në ceremoninë e çmimeve të vitit të kaluar nga ministrja Kumbaro, nuk mund të lihej jashtë vëmendjes së ministrisë edhe përkthimi letar me një traditë të shkëlqyer tashmë, por edhe me një vijimësi po aq të suksesshme.
TË NOMINUARIT PËR PËRKTHIMIN MË TË MIRË:
ARBEN Dedja- William Blake “Këngët e pafajësisë dhe të përvojës” poezi të zgjedhura
ALKET ÇANI – Saint John Perse, “Poezi të zgjedhura”
ILJAZ SPAHIU – Mo Yan “Bretkosa” , roman
GUILJEM DEDA – Ludovico Ariosto, “Orlando i çmendur” , poemë (në dy vëllime)
SOKOL ZEKAJ – Yves Bonnefoy , “Poezi të zgjedhura”
TË NOMINUARIT NË LËTERSINË SHQIPE:
ALBANA SHALA – “Ngarkesa e fëmijës”- tregime
AZEM QAZIMI i- “Për dhuntinë e mahnitjes” -poezi
FLUTURA ACKA – “Kukullat nuk kanë atdhe”- roman
SHKËLQIM ÇELA – “Ishulli Ruzvelt” – dy novela
THANAS MEDI- “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” – roman