Brenda sterave “misterioze” ku gjirokastritët filtronin ujin e shiut
Nga Marinela Gremi
Fondacioni “Gjirokastra” me mbështetjen e programit SENIOR-A, nga REC Shqipëri, ka bërë disa kërkime interesante për të vlerësuar rëndësinë që mund të kenë metodat tradicionale të furnizimit me ujë në zonën Historike.
Në të shkuarën Gjirokastra ndër vlerat e saj të trashëgimisë ka patur edhe një vlerë tjetër, ekologjike por dhe shumë unike. Në mungesë të burimeve të ujit, gjirokastritët zhvilluan një teknikë unikale, por dhe shumë funksionale. Përdorimin e ujit të shiut duke e mbledhur atë nga çatia, përmes ulluqeve në një ambjent brenda ose jashtë shtëpisë.
Stera, apo siç njihen ndonjeherë nga vendasit dhe si “muslluku”, planifikoheshin e ndertoheshin bashkë me shtëpinë e në to mblidhej uji i shiut e ruhej mire, duke qenë se uji i shiut është nga natyra i distiluar. Në formë ato kryesisht janë një dhomë katërkendëshe e cila mbulohet me qemer kube.
Mendohet se dikur numri i tyre i kalonte mbi 500 por sot, për fat të keq mungon një skedim i plotë i sterave.
Për të parë se sa përdoren ende këto stera dhe cila është qasja që kanë qytetarët për metodat tradicionale të furnizimit me ujë, Fondacioni Gjirokastra, gjatë verës 2015, realizoi një studim që u bazua në të dhëna arkivore si dhe të mbedhura direkt nga qytetarët në zonën historike.

Përdormi i sterave dhe puseve sipas raportit të Fondacionit Gjirokastra
Në total nga ky studim u survejuan 47 stera dhe 7 puse në zonat Dunavat, Varosh, Cfake, 11 Janari- Hazmurat, Mecite, Pazar i Vjetër, Manalat dhe Palorto. Vetëm 23 stera dhe 3 puse rezultojnë të përdoren ende sot.
Nga studimi bie në sy se më pak se gjysma e sterave dhe puseve janë në përdorim sot. Asnjëra nuk rezulton të vazhdojë të përdoret për ujë të pishëm dhe në disa raste, janë përshtatur të mbushem me ujë nga sistemi i Ujësjellës Kanalizimeve dhe jo nga shiu.
Braktisja dhe mos mirëmbajtja e shtëpive, ka sjelllë edhe braktisjen e përdorimit të sterave ku më shumë se gjysma e tyre nuk përdoren për qëllimin për të cilin ato u ndërtuan.
“Për sterat që nuk përdoren (24 raste) banorët deklaruan shkaqe të shumta si dëmtime, çarje, mos mirmbajtje, bllokime ose mungesë ulluqesh etj. Disa prej sterave rezultojnë të abandonuara”, thuhet në studimin e Fondacionit Gjirokastra.
Është për të ardhur keq që asnjë nga sterat dhe puset me kapacitet nga 25 m3 deri në 130 m3 , nuk përdoret për të përftuar ujë të pishëm. Në një kohë kur lagjia e vjetër e qytetit të gurtë vuan nga mungesa e ujit të pishëm, asnjëra nga objektet nuk është përshtatur që uji të quhet i pishëm.

Gjatë rijetëzimit të pusit në shtëpinë Babameto, 2015
Por rëndësia e këtyre objekteve nuk është vetëm vetjake, ato tregojnë pjesë nga historiku i mënyrës së jetesës së gjirokastritëve të vjetër. Kjo përbën mjaft interes për turistët, për të njohur zakonet dhe kulturën vendase. Ndaj muzealizimi dhe promovimi i tyre është pjese e këtij studimi.
Raporti thotë se deri tani vetëm në 2 raste (banesat monumente të Zekateve dhe Skëndulit) sterat janë pjesërisht të vizitueshme. Ndërsa në 2 banesa monumente, stera është pjesë e restaurimit dhe muzealizimit, rasti Xheneti dhe Kadare.
Pavarësisht nëse do të përdoren për sigurimin e ujit të pishëm apo rijetëzimit dhe monumentalizimit, sterat dhe puset përbëjnë një vlerë të shtuar në trashëgiminë e ndërtuar dhë atë natyrore të Gjirokastrës historike. Sipas studimit, jo vetëm që ato i shërbejnë komunitetit, por krijojnë dhe mundësi të reja për promovimin e EKO turizmit.