Banorët e ishujve grekë, të nominuar për çmimin Nobel për Paqe
Banorët e disa ishujve grek, priten të nominohen këtë vit për çmimin Nobel të Paqes. Banorët e ishujve Lesbos, Kos, Ios, Samos, Rodos dhe Leros, janë përballur në vijën e parë të frontit me krizën e migracionit në Evropë. Ata kanë shpëtuar, strehuar dhe ushqyer qindra mijëra emigrantë të dëshpëruar që kanë gjetur shpëtim në brigjet greke.
Nga 900,000 refugjatë që kanë hyrë në Evropë gjatë 2015-ës, shumica e tyrë kanë arritur përmes anijeve që jo pak herë janë përmbytur duke shkaktuar qindra viktima. Banorët e ishujve sidomos peshkatarët, dhanë gjithçka për të shpëtuar njerëzit që vinin nga deti shkruan The Guardian, ndaj, akademikë të shquar të Universitetit të Oksfordit, Princeton, Harvard, Cornell dhe të Kopenhagenit, po lobojnë që këta banorë të nomihohen për Nobel.
Online ka nisur një peticion me thirrje për të vlerësuar përpjekjet e këtyre “heronjve” të ishujve në detin Egje, duke i nominuar me çmimin Nobel për Paqe. Peticioni i drejtohet Komitetit Norvegjez të çmimeve Nobel dhe ministrit grek të Emigracionitm Jannis Muzalas. Deri paraditen e së hënës, peticioni në faqjen Avaaz ka mbledhur mbi 300,000 firma.
Në kërkesë thuhet: “Për banorët e ishujve grekë, gjyshet që i kanë kënduar foshnjeve të tmerruara që t’i zërë gjumi, për mësuesit, pensionistët dhe studentët që kanë kaluar muaj të tërë duke ofruar ushqim, strehim dhe veshje për refugjatët që kanë rrezikuar jetët për t’i shpëtuar luftës dhe terrorit në vendet e tyre”.
Duke qenë se çmimet Nobel mund të fitohen vetëm nga individë apo organizata, sipas Thë Guardian, ka gjasa që të nominuarit zyrtarë për këtë kauzë të jenë rrjetet e solidaritetit apo grupet vullnetare që janë organizuar për të ndihmuar refugjatët. /m.g
Burimi: The Guardian