Arkitektët mbi prishjen e teatrit: “Mos e ktheni qytetin në teatër ku skena ndryshon sipas shfaqjes”
Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë ka publikuar sot një qëndrim publik mbi çështjen e shumëpërfolur të Teatrit Kombëtar.
Letra e hapur nis me pyetjen: “A kemi nevojë për një teatër të ri?” dhe vazhdon me disa pohime rreth nevojës për zhvillimin e artit dhe arkitekturës.
“Ne, më shumë se kushdo, nuk mund të pajtohemi me prishjen e vlerave historiko-arkitektonike të qytetit tonë, të atyre veprave që edhe pse pa shumë vlerë kapitale, mbartin vlerë shpirtërore e më shumë, vlerë të memories së brezave të tërë”, thuhet më tej në letër.
Shoqata e Arkitektëve thotë se Tirana është kthyer në një kryeqytet të përfaqësuar veç nga qendra apo një “metropol pa pole”, duke pohuar se do ta mbështeste ndërtimin nëse ai do të bëhej larg qendrës.
“Nëse Qeveria do të shpallte se teatrin e ri do ta ndërtojë diku pranë bulevardit të ri, apo në tokat e ish fushës së aviacionit, apo hapësirat e ish Kinostudios, a diku gjetkë, pa dyshim që të gjithë do të ishim pro saj e, së bashku me ne, do të shihte gjithë aktorët e artistët ta duartrokisnin e përgëzonin duke ju vënë në krah e jo kundër, për një realizim të shpejtë”.
Arkitektët propozojnë ndërtimin e teatrit të ri në një zonë periferikë dhe me potencial zhvillimi si ajo e Bulevardit të Ri.
“I vendosur në krah të bulevardit të ri, ai mund të bëhet fillesa e një “La Defense“ Tiranase për kryeqytetin tonë. Le të ndërtohet aty një teatër i Ri i cili si një qendër e jetës kulturore mund të bëhet thirrës i jetës e i gjallërisë në periferi dhe fillesë e një kompleksi arkitektonik modern, pa cenuar kështu pjesën historike por duke krijuar hapësirë për të „shfryrë“ presionin e kapitalit që kërkon të ndërtojë. Duke u ndërtuar në një parcelë me sipërfaqe të bollshme ai mund të projektohet duke përmbushur të gjithë parametrat e një strukture moderne të pa kushtëzuar nga njolla e kufizuar e ndërtimit, e cila u tha se do të respektohet nëse teatri i vjetër do të prishet. Të ketë sheshin e parkimin e tij, hapësirat e gjelbra dhe rekreative e pse jo edhe të përfitoje nga një sipërmarrje e tipit PPP me pronarët e trullit, për tu rritur në madhësi e cilësi.”
Arkitektët thonë se ka ardhur koha që t’i largohemi qendrës e të mos e dendësojmë atë më shumë, por ta lëmë në historinë e vet.
“Teatri si pjesë e kësaj historie duhet të qëndrojë, të dëshmojë epokë artistike dhe por edhe arkitektonike. I lindur që në fillesë si një objekt me karakter artistik ai u bë në kohë djepi e streha e pasurisë artistikoteatrore të kryeqytetit, u bë vendi ku lindi teatri modern Shqiptar. Për të ruajtur memorien e brezave të artistëve por edhe të qendrës historike të qytetit ai duhet të ri konstruktohet e restaurohet në formën që ka e ndoshta të mbetet si një sallë për shfaqje dhe evente të veçanta.
“Pse të mos ketë Tirana dy Tetro, një të ri e një të Vjetër?”, pyesin arkitektët duke përmendur edhe disa raste të ngjashme nga eksperienca botërore.
Letra mbyllet duke përsëritur faktin se qyteti ka nevojë për një teatër të ri, por vetë qyteti nuk duhet të kthehet në teatër.
“Por le të mos e kthejmë qytetin në një teatër, ku skenografia ndryshon sipas shfaqjes së rradhës. Le të ruajmë identitetin e memorien historike të tij”.
Reagimi i plotë i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë
http://www.shash.eu/wp-content/uploads/2018/03/P-62-qendrim-publik-per-teatrin-022018.pdf
/l.k./