6 muaj më pas, ende nuk dihet dëmi i shkaktuar nga zjarri në Bibliotekën Kombëtare
Gjashtë muaj pas zjarrit në Bibliotekën Kombëtare, ky institucion ende nuk ka publikuar asnjë informacion mbi dëmin e shkaktuar.
Tv Klan i ka dërguar një kërkesë për të mësuar numrin e librave, gazetave apo revistave të djegura dhe titujt e vjetërsinë e këtyre materialeve, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Në njoftimin e fundit të Bibliotekës Kombëtare u tha se janë djegur vetëm tre rafte me libra të pas viteve 2000, por as ky fakt nuk u konfirmua zyrtarisht.
Tv Klan mëson se as policia e as Prokuroria e Tiranës, nuk kanë kryer ende veprime hetimore ndaj nuk ka as një inventar të dëmit të shkaktuar.
Edhe sot, 6 muaj pas rënies së zjarrit, Biblioteka Kombëtare nuk ofron asnjë shërbim nga katet e nëndheshme. Faktor ky që mund të ketë ndikuar edhe në uljen e frekuentimit, pasi në tremujorin e dytë të 2017 frekuentimi ka qenë rreth 50% më i ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
/l.k./