KMD: Altin Goxhaj diskriminues, Akil Pano zhduk provat!

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka vendosur së fundmi pranimin e kërkesës së “Pro LGBT”, dhe shpalljen fajtor të Altin Goxhaj, për diskriminim, ndërsa në të njëjtën çështje hetimi për Akil Panon, është ndërprerë për shkak se ky i fundit ka zhdukur nga interneti videon që kishte provat e diskriminimit.
Organizata “Pro LGBT” ka konstatuar se : Në datën 23 Nëntor 2022, Akil Pano ka transmetuar live në profilin e tij social në Facebook për rreth 90 minuta, një mbledhje të grupimit të quajtur “Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës “.
Qëllimi i mbledhjes ishte trajtimi i një çështjeje, që sipas Panos, ishte urgjente dhe përfshinte “mbrojtjen e vlerave, fesë dhe identitetit përballë komunitetit lgbt+”.
Sipas deklaratave të Panos, ky film seksualizon dhe përpiqet t’i “dexhenderizojë” fëmijët, si pjesë e agjendës agresive gej“.
Në takim ndërhyri edhe Altin Goxhaj, i cili u shpreh se shfaqja ka një urgjencë pasi mund të dëmtojë shëndetin mendor, emocional dhe të ndikojë më shumë negativisht tek fëmijët.
Si pastori Akil Pano zhduku provat
Duke qenë në vështirësi të mbrojtjes së argumentve të tij, Akil Pano ka zhdukur videon duke e fshirë atë.
“Komisioneri nuk arriti ta aksesojë videoregjistrimin e takimit, pasi “linqet” e vendosura në dispozicion nuk hapeshin. Një fakt të tillë e ka pohuar edhe pala ankuese në e-mail-in e përcjellë me datë 10.05.2023. Ato ishin fshirë nga interneti dhe nuk ishte i mundur aksesimi i tyre.” – thuhet në vendimin e Komisionerit.
“Per sa kohë që, nuk u arrit të sigurohej informacioni dhe të administroheshin provat e nevojshme, Komisioneri është në pamundësi për t’u shprehur mbi pretendimet e ngritura nga pala ankuese kundër z. Akil Pano dhe për të vlerësuar nëse jemi përpara përdorimit të gjuhës së urrejtjes, në kuptim të ligjit. Në këto kushte, dhe bazuar në nenin 90, pika 3, te Kodit të Procedurave Administrative, Komisioneri arrin në përfundimin se, për pjesën e ankesës që lidhet me pretendimet e ngritura kundër z. Akil Pano, procedura administrative duhet të deklarohet e përfunduar pa një vendim përfundimtar.” – thuhet në vendim.
Vendimi për avokatin Altin Goxha
Por ndryshe nga Akil Pano, Altin Goxhaj e ka hedhur fjalën e tij në Facebook, dhe Komisioneri e ka depozituar atë.
Gjuha e përdorur nga Altin Goxhaj, tanimë zyrtarisht është një gjuhë diskriminuese dhe e papranueshme për një shoqëri të hapur dhe demokratike.
Gjatë fjalës, Goxhaj shprehet se: “Pra, mendojmë që nesër kemi një situatë që ka një emergjencë që mund të cënojë shëndetin mendor, gjendjen e tij emocionale dhe psikologjike, duke ndikuar negativisht edhe pa e kuptuar tek 1 fëmijë tek 10 apo tek 100, këtë nuk e dimë”
Sipas analizës ligjore të Komisionerit, “Z. Goxhaj, në fjalën e tij thekson se shfaqja e këtij filmi mund të cënojë shëndetin mendor, gjendjen emocionale dhe psikologjike të fëmijëve, duke ndikuar negativisht tek ata. Në këtë mënyrë personat LGBTI portretizohen si persona të cilët paraqesin rrezik për këtë kategori të veçantë, siç janë fëmijët.”
“Ligjërime apo fjalime te tilla, të cilat i portretizojnë personat LGBTI si kërcënim për shoqërinë apo fëmijët në rastin konkret, stimulojnë frikën, nxisin qëndrime negative, nxisin diskriminimin dhe për këtë arsye ato janë në kundërshtim me ligjin. Gjuha e përdorur nga z. Altin Goxhaj, stigmatizon personat e komunitetit LGBTI duke i etiketuar ata në një mënyrë negative dhe me atribute të pavërteta.”
Për më tepër edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në çështjen Macate vs. Lituania (Application no. 61435/19) në 23 Janar 2023 vlerësoi se: “Etiketimi i një libri me përralla si i dëmshëm për fëmijët vetëm për shkak të përmbajtjes LGBTI, shkelte Konventën“.
Komisioneri vlerëson se, gjuha e përdorur nga Altin Goxhaj, krijon në radhët e publikut dhe veçanërisht të atyre personave që nuk janë të mirëinformuar, ndjenja keqkuptimi, refuzimi, e tek disa edhe ndjenja urrejtje ndaj komunitetit LGBT.
Më tej në analizën juridike Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi arrin në përfundimin se: gjuha e përdorur nga z. Altin Goxhaj, përbën gjuhë urrejtje kundër personave që i perkasin komunitetit LGBTI, për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.
Mendimet dhe qëndrimet e shprehura prej tij, janë në tejkalim të lirisë së shprehjes dhe si të tilla ato nuk mund të gëzojnë mbrojtje nga nenet 22 dhe 24 të Kushtetutës, nenet 9 dhe 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe neneve 18 dhe 19 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Për të gjitha arsyet e mësipërme, Komisioneri vlerëson se kufizimi I gjuhës së urrejtjes është i domosdoshëm dhe proporcional./ HistoriaIme
Vendimi i plotë ketu
