1 milionë njerëz marshojnë në RomaPride

Qindra mijëra njerëz kanë zgjedhur të marshojnë nëpër rrugët e kryeqytetit italian me rastin e paradës së krenarisë.
Flamuj me ngjyra, muzikë dhe shumë njerëz të buzëqeshur, sipas organizatorëve, në paradën e Krenarisë së Romës të këtij viti ishin mbi një milion pjesëmarrës.
Pas revokimit të sponsorizimit nga Rajoni i Lacios dhe polemikave të ngritura për vendimin e guvernatorit Francesco Roça, përgjigja e njerëzve ishte një pjesëmarrje e madhe në demonstratë, një lumë shumëngjyrësh dhe festiv që përshkoi rrugët e kryeqytetit.
Me sloganin “Queersistence” njerëzit ecën nëpër Romë, ndërsa organzatorët thanë në një deklaratë se: “Një britmë rezistence, një britmë ekzistence. Në vitin e parë të Qeverisë Meloni, komuniteti Queer ka pësuar sulme të shumta. Nga eliminimi i emrave të personave transgjinorë nga regjistrat e institucioneve arsimore e deri te heqja nga regjistrat komunal të fëmijëve të çifteve me prindër të njëjtë. Nuk kemi reshtur kurrë së luftuari.”

Të pranishëm ishin edhe politikanë të shumtë dhe përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile.
iMes tyre sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, ai i Evropës, Riçardo Magi, së bashku me kryetaren e partisë, Emma Bonino, kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri dhe Elena Boschi e Viva Italia.
“Ne kemi nxjerrë trupat tanë, identitetin tonë, ekzistencën tonë. Sepse asnjë qeveri nuk mund të na ndalojë. Nuk do të ndalemi së pohuari me krenari se ka familje dhe marrëdhënie të ndryshme që nuk mund të injorohen. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari për të vënë në dispozicion mjetet parandaluese për të luftuar HIV. Ne nuk do të ndalemi së refuzuari patologjizimin e seksualiteteve jokonvencionale. Ne do të vazhdojmë të ritheksojmë se komuniteti ynë është feminist dhe transfeminist. Nuk do të harrojmë se komuniteti ynë nuk është vetëm perëndimor dhe i bardhë, por edhe pasardhës afrikan, aziatik, emigrant. Ne do të mbrojmë dinjitetin e punonjësve të seksit nga stigmat që i persekutojnë. Le të bërtasim QueeResistence.”-thuhet ndër të tjera në deklaratën e “RomaPride”.
Organizatorët kërkuan që himni i Pride të jetë kënga e dyshes së famshme Paola & Chiara, të cilat performuan në “Sanremo 2023”

“Ne jemi të nderuara që mundemi të japim kontributin tonë për një kauzë të madhe –thonë Paola & Chiara, kënga e të cilave ishte edhe himni i paradës- sepse ne besojmë në afirmimin e të drejtave themelore. Ndihemi krenarë që jemi në gjendje të udhëheqim paradën dhe të mbështesim me bindje kauzën LGBTQIA+. Një botë me më shumë të drejta është një botë më e drejtë për të gjithë”./ HistoriaIme
