Sa mbrapsht të sjell një trill?
Shumë!
Mirë e dini që ne jemi një kanal mediatik i fokusuar tek të drejtat e njeriut dhe ndërgjegjësimi e përcjellja e të vërtetës për komunitetin LGBTQ+. Një pjesë e rëndësishme e punës sonë është të kuptojmë çfarë ndodh rreth e qark, lart e poshtë, në këto sfera.
“Homeland Albania” është një kanal në YouTube i cili prej tre muajsh publikon histori mbi tema të ndryshme, të rrëfyera nga njerëz nën një maskë, eskorta, pastruese shtëpish, punonjës në morg, ish-punonjës fast-foodi, etj.
Rrëfimi i fundit nën maskë ishte i një mashkulli i cili flet për jetën e tij të dyfishtë, mes një martese me një grua dhe një marrëdhënieje të fshehtë me një djalë. Ai rrëfen, me detaje, që nga momenti i parë që e takoi, e deri më sot, në “folenë” e tyre të dashurisë.
Nuk marr guximin të analizoj sa etike është kjo, as të gjykoj se çfarë duhet të bëjë një burrë i rritur me jetën e vet. Ama e di që një rrëfim i tillë, i shprehur në mënyrën dhe fjalët e mëposhtme, nga një faqe që ekziston vetëm prej tre muajsh dhe që poston histori anonime për të marrë vëmendjen e audiencës, i bën dëm perceptimit publik për djemtë gej.
Sepse, falë kësaj videoje me mijëra shikime në të gjitha platformat, ata mund të konsiderohen thjesht si “dashnorët”.
Kjo video bën dëm, dëm të madh madje. Ajo përforcon stigma që në Tiranën e Shqipërinë tonë të vogël sa një gogël, i njohim mirë.
E dimë mirë se si shihet një djalë që ka ndjenja për një djalë tjetër, që duhet t’i mbajë të fshehta, sepse, siç thotë edhe “maska” e kësaj here, “përveçse të fshehta, një burrë homoseksual nuk është i fortë”?
“Ata (fëmijët) nuk e meritonin një baba të tillë, ata duhet të bëheshin të fortë, burra e jo b***ira.”
Apo edhe kur thotë maska:
“Do të vazhdoj të jetoj këtë jetë të dyfishtë për të ruajtur pozitën time si burrë i suksesshëm në biznes.”
Zoti Maska, burrë të suksesshëm në biznes nuk të bën dhe as nuk të zhbën orientimi seksual. Të bën aftësia, puna dhe dinjiteti. Por po, sa herë që rrëfime të tilla dhe strategji klikimesh që ushqejnë bindjet tona të brishta transmetohen, do të kufizohet suksesi i çdo djali apo burri homoseksual, pavarësisht aftësive që ka.
Dhe, për të hedhur pak dritë mbi dyshimin se ky rrëfim mund të jetë një trill, do të përmendja ritmin e rrëfimit, mungesën e ngecjeve gjatë xhirimit dhe elokuencën e pazakontë.
Për më tepër, fraza të tilla si:
- “më shpërqendronte lëkura e tij ngjyrë gruri”
- “më dhuroi një buzëqeshje të madhe me dhëmbët e tij të përkryer”
- “u ngrita nga karrigia ku qëndroja pas tryezës së zyrës, për t’u ulur në këndin e ndenjes”
…na japin ndjesinë e një historie të stisur keq, ndoshta edhe me ndihmën e ndonjë platforme të Inteligjencës Artificiale, e lexuar në një ekran të madh nga dikush që s’e ka ndjerë kurrë joshjen për atë “lëkurë ngjyrë gruri”.
Sepse ne, në shqipen tonë të përditshme as në të folurën, e as në të shkruarën nuk e kemi shprehi të krahasojmë ngjyrën e lëkurës me grurin, apo ti përshkruajmë dhëmbët si të “të përkryer”.
Se pas këtij trilli nuk fshihet as Agolli, apo Kadare, dritë paçin, as ndonjë poet i nivelit tyre.
Qëndroni kritikë, edhe dyshues.