E pavarur dhe e tradhëtuar

Anën e kisha takuar për herë të parë tek Drag Show i para disa javëve, ku më tha se nuk kishte ndonjë gjë të veçantë për të treguar. Po pinte cigare, me një shishe birrë në dorë, diku në cep. Ishte gjithë kohës buzagaz, sikur kishte rënë në dashuri për herë të parë.
Ndërsa shtruar, u takuam të mërkurën tek Pazari i Ri. Ana piu kafe, dhe shumë cigare. Lindur dhe rritur në Tiranë, ka patur një fëmijëri të qetë, shpeshherë rrethuar me çuna. Natyrshëm me dy vëllezër më të mëdhenj në shtëpi. Basketbolliste profesioniste gjatë adolesheshencës, ndjekëse profesioniste futbolli sot. I ati ndërroi jetë kur ajo ishte njëmbëdhjetë vjeçe, gjë që e bëri shumë të pavarur, moskokçarëse, dhe me liri sa një dallëndyshe.
Për herë të parë filloi një marrëdhënie kur ishte 17 vjeç me një djalë, me të cilin u fejua dhe u nda brenda dhjetë viteve. Pastaj sikur mos ti rrihej vetëm, nisi një aventurë të re me një vlonjat, të cilin e pëlqente se bënte muhabet të mirë, dhe nuk e pëlqente prej se ishte i fiksuar me pasqyrën. Kështu kuptoi shumë më shumë mbi veten, dhe që gjithçka për të sillet rreth komunikimit të mirë. Qoftë në aventura sportive apo ato në shtrat, gjithmonë ka rënë pre e kuriozitetit të saj.
Kurba e jetës së Anës merr një tjetër trajektore, një natë pas birrash me një ndër dy shoqet e saj të fëmijërisë. Atë që do bëhej së shpejti partnerja e shtatë viteve. Kishte gjithë jetën që e njihte. E kishte patur gjithmonë një kat më poshtë në pallat, një vit më të ulët në fillore, shkollën nëntë-vjeçare, gjimnaz, universitet, dhe disa orë më pas do ta kishte herë nën trup, e herë mbi.
Ajo thotë se me vajzat është ndryshe. Ka më shumë emocion, paraloja intime zgjat më shumë dhe ngjall më shumë ndjesi. Me vajzat është me e lehtë të rrish përqafuar pas seksit. Ndërsa ana tjetër e këtij procesi të ngadaltë ndjesish, është se orgazmat janë herë si festa rock&roll e herë si festa me muzike klasike.
Edhe pse grindeshin shpesh, asokohe mendonte se kjo ishte normale për një çift që do ta mbyllte ciklin jetësor bashkë. Me atë vajzë i pëlqente komunikimi, e si pëlqenin pasiguritë që tjetra kishte në vete. Si fanatike e marrëdhënieve jetëgjata, sot ka kuptuar që përgjatë shtatë viteve nuk ka qenë në dashuri, më shumë se në rehati. Kushtet u poqën, yjet, planetet, e avionët u vunë në vijë që partnerja ta tradhëtonte. Ishte e zhgënjyer nga tradhëtia ndërkombëtare, e ndodhur përtej kufijve. E papritur, sepse nuk ishin tradhëtuar asnjëherë, as nuk kishin lejuar një marrëdhënie të hapur. Xhepin ama e kishin të përbashkët, dhe jo të dyja ishin aq korrekte me letrat me vlerë. Aty mbase ka gabuar që s’ i besoi instiktit, shtuar edhe faktin që tjetra nuk kishte ndonjë ambicie e organizim të theksuar, siç thotë dëshmitarja jonë. Pasi kishte përtypur me disa cigare më shumë për nja 2 muaj këtë fakt, është më e qetë dhe rehat me trupin, mëndjen dhe shtëpinë që i ka dhënë një lustër të re energjie pas ndarjes.
Po ta takosh Anën, përveç buzëqeshjes së përhershme, nuk do mënd të kuptosh që s’është sipërfaqësore. Ka një superfuqi të shohë pozitiven në çdo gjë, bie në dashuri me të brendshmen, aortën, barkushet, klitorin, sytë, etj…
Ndryshe prej kuriozitetit që ishte një rastësi, e cila e solli në këtë pikë, Ana dëshiron të bëjë fëmijë. Ka filluar procedurat dhe është e vetmja gjë që mendon kur parashikon të ardhmen. Do të kujdeset për një mardhënie dhe s’do e tradhëtojë kurrë. Sado egoiste të duket, është e vërteta e saj. Bashkë me karrocën dhe gjidhënien, do edhe pak Amerikë. Atje e sheh si të vetmin vend të rehatshëm. Do mund të zbulojë veten e botën, në metropole pakufi.
Komuniteti LGBTQ+, i duket i distancuar nga vetja. As nuk ndihet pjesë, as e përfaqësuar. E sheh të keqkomunikuar. Mbase edhe sepse ajo vetë është zhvilluar në rrethana të tjera. Nisur që nga edukimi ka patur dëshirën për tu zhvilluar, e pastaj në familje vëllezërit dhe e ëma tërë hallin e kanë te farefisi dhe lënia e trashëgimtarëve. Mbase ka çarë me atë moskokçarejen e vet, mbase ka patur njerëzit e duhur rreth vetes. Kushedi.
Po Ana është thjesht Ana.