Përkujtohet Matthew Shepard, një gej që ndryshoi historinë

Presidenti Joe Biden nderoi Matthew Shepard në 25 vjetorin e vdekjes së tij dhe dënoi rritjen e kërcënimeve dhe aktet e dhunës ndaj komunitetit LGBTQ+ në mbarë botën.
Shepard, një student gej në universitetin e Wyoming në Laramie, u rrëmbye, u grabit dhe u rrah deri në gjendje koma më 6 tetor 1998.
Dy burrat që sulmuan Shepardin e lidhën atë në një gardh në kohë të acartë. Ai u zbulua 18 orë më vonë nga një çiklist, i cili fillimisht e ngatërroi me një dordolec.
Shepard vdiq në një spital të Kolorados më 12 tetor 1998, i rrethuar nga familja.
“Vrasja tragjike dhe e pakuptimtë e Matthew tronditi ndërgjegjen e popullit amerikan”, -tha Biden në një deklaratë.

“Dhe prindërit e tij të guximshëm, Judy dhe Dennis Shepard, e kthyen kujtesën e Matthew në një lëvizje, duke nxitur miliona njerëz për të luftuar plagën e urrejtjes dhe dhunës anti-LGBTQI+ në Amerikë.”
Dy sulmuesit, Aaron McKinney dhe Russell Henderson, u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasje të shkallës së parë, por ata nuk u akuzuan për krime të urrejtjes.
Në atë kohë, sulmet e motivuara nga orientimi seksual ose identiteti gjinor i viktimës nuk kualifikoheshin si krime të urrejtjes sipas ligjit të Wyoming.
Biden u zotua të “vazhdojë luftën kundër urrejtjes, kundër dhunës dhe fanatizmit në të gjitha format e saj”.
“Sot, ndërsa kërcënimet dhe dhuna që synojnë komunitetin LGBTQI+ vazhdojnë të rriten, puna jonë është larg përfundimit,” tha ai. “Asnjë amerikan nuk duhet të përballet me urrejtje ose dhunë për atë që është ose për atë që do.”
Demonstratat anti-LGBTQ janë rritur gjatë vitit të kaluar, përveç disa akteve të profilit të lartë të dhunës që dyshohet se janë nxitur nga ndjenjat anti-LGBTQ.
Në deklaratën e tij të enjten, Biden gjithashtu bëri thirrje që Kongresi të miratojë Aktin e Barazisë, legjislacion që do të ndryshojë Aktin e të Drejtave Civile të vitit 1969 për të përfshirë mbrojtjen kundër diskriminimit bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Legjislacioni u miratua në Dhomën e atëhershme të kontrolluar nga demokratët në 2021 – me mbështetjen e tre republikanëve – por që atëherë ka ngecur në Senat./ HistoriaIme